Humbja me Romën ka sjellë një atmosferë pesimizmi në radhët e Interit, që pas fitores së bindshme në javën e parë me Peskarën u duk se ishte në një moment të shkëlqyer forme.
Të mërkurën, “La Gazzetta dello Sport”, e përditshmja sportive italiane identifikoi pesë problemet kryesore të skuadrës së Stramaccionit.
Varësia nga Sneijder – Në dy javët e para, u konfirmua tendenca se forma e skuadrës varet shumë nga ajo e fantazistit holandes. Skuadrës i duhet një zëvendësues për ato ditë kur Uesli nuk është në formë të mirë dhe Coutinho apo Alvarez i kanë të gjitha mundësitë të luajnë në të njëjtin rol.
Mbrojtje tepër e brishtë – Shtatë gola të pësuar në tre ndeshjet e para, përfshi Europa League, janë më shumë se një sinjal alarmi. Ranocchia dhe Silvestre në qendër nuk ofrojnë asnjë garanci dhe rikthimi i Samuel mund të përmirësojë disi situatën, por trajnerit i duhet të punojë shumë për të kompaktësuar grupin me emrat që ka.
Përshtatja e Cassanos – Në ndeshjen e parë u duk gjithçka shumë e lehtë, por përballë Romës, u pa qartë se Antonio ngatërrohej shpesh në fushë me Sneijder dhe nuk ka ende të qartë rolin e tij. Mbase mund të ishte më e përshtatshme që Palacio të luajë si titullar, deri sa kur Cassano të kuptojë atë që i kërkohet në radhët e zikaltërve.
Moslidhja e reparteve – Kundër Romës, Interi u duk si një skuadër e ndarë në dy pjesë në 90 metra të fushës, me katër persona përpara dhe gjashtë pas. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që ekipi të bëjë më shumë për të unifikuar repartet dhe për të luajtur si grup, e kjo mund të arrihet me ndryshimin e skemës apo përshtatjen e njërit prej Gargano, Stankovic apo Cambiasso përkrah Guarinit në një rol mbështetës në mesfushë.
Mungesa e Maicon – i shitur tek Manchester City, ai që për disa vite me radhë ishte një “lokomotivë” në krahun e djathtë, tashmë duhet zëvendësuar. Nagatomo ka luahtje të rëndësishme në rendimentin e tij, ndërsa Jonathan, ndonëse luajti mirë tek Parma, nuk duket se ka cilësitë e mjaftueshme për ta zëvendësuar. Një mundësi është kapiten Zanetti, i mësuar me këtë pozicion, por më e rëndësishmja për Interin është të mësojë të mos e përqendrojë lojën djathtas, ku galopimet drejt sulmit dhe krosat e brazilianët tashmë nuk janë një opsion.
Top Channel