Shtyhet Fier – Tepelenë

04/09/2012 00:00

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi një projektligj të qeverisë që
shtyn afatin e përfundimit të rrugës Fier-Tepelenë, e cila duhet të
kishte përfunduar që në nëntor të vitit të kaluar.

“Në kontratë, afati përfundimtar ka qenë fillimi i vitit 2008- nentori i 2011. Ne kërkojmë shtyrje të afatit të përfundimit, për arsye se segmenti i dytë akoma nuk ka mbaruar”, tha Ernest Noka, zëvendësministër i Punëve Publike.

Kontrata fillestare për ndërtimin e rrugës Fier-Tepelene është nënshkruar më shumë se 7 vjet më parë, në qershor të vitit 2005. Në fillim qeveria e sapoardhur në pushtet e demokratëve e bllokoi ndërtimin pasi mbështeste, një tjetër projekt alternativ, të ashtuquajturin boshti i jugut. Por kundërshtimet e forta të donatorëve e detyruan atë të zhbllokonte ndërtimin e rrugës dhe kontrata u dërgua për miratim në parlament vetëm në vitin 2007. Që nga ajo kohë projekti është përballur me të tjera vonesa, që lidhen edhe me nënkontraktorët

“Kjo është rruga e parë, pra aksi i jugut ka qenë rruga e parë që Berisha ka anuluar pas ardhjes në pushtetit në 2005”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Deri më tani kanë përfunduar rreth 75 për qind e punimeve të kësaj rruge. Qeveria thotë se i gjithë aksi do përfundojë në tetor të këtij viti, por së fundmi projekti po përballet me një tjetër problem. Një pjesë e rrugës me gjatësi 4.5 kilometra, kalon pranë hidrocentralit të Kalivacit dhe rrezikon të përmbytet nga baseni. Qeveria është detyruar të ndryshojë  projektin, por kjo ka sjellë një kosto shtesë prej 12 milionë euro, për të cilat ka lindur një konflikt mes qeverise dhe kompanise qe nderton hidrocentralin.

Kostoja totale e projektit është rreth 70 milionë euro, prej të cilave 20 nuk janë disbursuar ende. Donatorët kryesore janë BERZH, BEI dhe Bashkimi Europian.

Top Channel