Irlandë, trazira në Belfast

04/09/2012 09:25

Policia në Irlandë është detyruar të reagojë ndaj trazirave në veri të Belfastit, ku 47 policë kanë mbetur të lënduar që prej ditës së diel.

Të paktën 15 oficerë mbetën të lënduar mbrëmjen e së hënës, me tre prej tyre që janë shtruar në spital. Policia i ka konsideruar trazirat si një “cënim serioz të rendit publik”.

Anëtarë të fraksionit të quajtur Besnikët u mblodhën në Rrugën e Danimarkës, ndërsa fraksioni tjetër i njohur si Republikanët në Rrugën Antim.

Bomba molotov, tulla dhe gurë u hodhën ndaj policisë. Një furgon gjithashtu u mor nga protestuesit, të cilët e vendosën përpara vijës së forcave të rendit, për t’i penguar ato.

Nga ana tjetër, katër topa me ujë u vendosën nga policia për të shpërndarë turmën dhe të paktën një person u arrestua, ndërsa shumë rrugë u mbyllën.

Drejtori i Federatës Policore të Irlandës së Veriut, Terry Spence vlerësoi punën e oficerëve që ishin në vijën e parë. “Guximi i tyre i bëri kontrast akteve frikacake të atyre që u përpoqën t’i vrisnin”, tha Spence.

Më herët policia fajësoi Besnikët për trazirat e së dielës në një paradë republikane në zonë. Thuhet se rreth 350 besnikë ishin përfshirë në trazirat e dhunshme.

Top Channel