
Plani i masave për të kursyer në kohë krize prek edhe strukturat e
administratës shtetërore. Kush kishte planifikuar të punojë në shtet me
anë të konkursit apo me kontratë, duhet të presë, të paktën deri në
fillim të vitit, kur gjendja financiare mund të bëhet më mirë.
Ministria e Financave nuk ka shkurtuar vetëm shpenzimet operative, por edhe rekrutimet në administratë, qofshin këto edhe plotësimet e vendeve vakante.
“Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit”, është urdhri i prerë i ministrit të Financave, ben te ditur “Shqip”. Nga ky vendim, shefi i Financave përjashton, vendet e paplotësuara për të cilat është realizuar konkursi, si dhe rastet specifike për të cilat merret miratimi i ministrit Bode.
Vendimi për të kursyer prek edhe planet e ministrive për të rekrutuar staf, me anë të kontratave, mjet ky tepër i përdorur, sidomos në kohë fushatash. “Pezullohen kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme, në njësitë e qeverisjes qendrore”, thuhet në vendimin për disiplinimin e fondeve në buxhet.
Plani për të “ngrirë” administratën, duke mos lejuar asnjë punësim deri në fund të vitit është një hap i dëshpëruar i qeverisë për të kursyer sadopak në këto kohë krize.
Nuk dihet me saktësi se sa është numri i vendeve vakante në administratë, por fakti që ekspertët e Financave nuk kanë llogaritur efektet pozitive në buxhet nga ky vendim, tregon se ministria po tenton të marrë maksimumin e mundshëm, pa një strategji të qartë.
Punësimi me anë të kontratës së përkohshme i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit fatura të konsiderueshme në buxhet. Jo më larg se tre muaj më parë, Kryeministri Sali Berisha miratoi një shtesë prej 110 punonjësish me kontratë të përkohshme. Ky kontingjent i shërben provizorisht administratës, në varësi të situatës emergjente dhe të nevojshme për një objektiv të caktuar. Në total, mendohet se janë rreth 700 punonjës me kontratë, por edhe vende bosh ka plot, për shkak se disa ministri, sidomos ajo e Mbrojtjes, e cila sapo kanë miratuar strukturën e re.
Vendimi i ministrit për të mos lejuar rekrutimet vjen pas verifikimeve të kryera, nga ku u konstatuan shumë shkelje të disiplinës financiare sa i takon pagave dhe shpërblimeve. Gjatë procesit të mbikëqyrjes nga ana e Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2011-n, u konstatuan 228 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil, të plotësuara nëpërmjet emërimeve me kontratë të përkohshme. Shumë institucione e kanë tejkaluar limitin prej 10 përqindësh të totalit të punonjësve të lejuar me kontratë, sikurse kanë shkelur edhe afatin prej tre muajsh.
Në numrin e ditës së hënë, gazeta “Shqip” publikoi planin e kursimeve të qeverisë, i cili duke nisur nga data 7 shtator, ndalonte shpërblimet, dietat, udhëtimet dhe reduktonte kuotat për bisedat telefonike të punonjësve të shtetit.
“Duke nisur nga data 7 shtator 2012, botimi i çdo lloj njoftimi (tenderi), përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet operative, të njësive të qeverisjes qendrore, bëhet vetëm me leje të ministrit të Financave dhe duhet të tregojë detyrimisht burimin e financimit”, thuhet në pikën e parë të projektvendimit. Financat përjashtojnë nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.
Top Channel