Pa binarë ose e majta pa parti

03/09/2012 00:00

SOKOL SHAMETI – S’ka një javë, në afërsi të stacionit hekurudhor të
Tiranës, konsumohej një skenë e denjë për një akt teatri absurd. Ca pak
dhjetëra persona, kryesisht adoleshentë, të shtrënguar rreth flamurit të
një organizate të së djathtës nacionaliste, brohorisnin pa kuptuar
asgjë, fjalimin e një përfaqësuesi të punëtorëve të hekurudhave.

Ky rast, si shumë të ngjashëm, është edhe një tjetër dëshmi për “peshkimin” e çështjeve që tradicionalisht përbëjnë tekstilin ideologjik të së majtës, nga ana e grupimeve a organizatave të tjera, që kurrfarë lidhjeje nuk kanë me të majtën. Ajo çka po ndodh, s’vjen si shkak i ndonjë aftësimi të papritur të këtyre grupimeve për të perceptuar shqetësimet publike që sot mundojnë shoqërinë në Shqipëri. Arsyeja pse herë pas here del dikush në rrugën e braktisur të interesave të të pambrojturve dhe të nëpërkëmburve të këtij vendi dhe flet në emër të tyre, është lënia e kauzës së majtë në mes të rrugës nga ata që duhej të ishin njerëzit që i dalin asaj për zot: të majtët institucionalë shqiptarë.

Më shumë se sa përvetësim i padrejtë i retorikës që pretendohet prej saj, kjo që po i ngjet Partisë Socialiste – si në rastin e çështjes së hekurudhave, ashtu edhe në dhjetëra raste të tjera – është thjesht plotësim nga të tjerët, i hapësirës publike të lënë bosh prej mospranisë së saj.

Shpesh ato që i rrëmbejnë bukën nga dora PS-së nuk janë as tamam forca të mirëfillta politike. Mes tyre gjen madje edhe organizata të përkohshme të tipit ‘brigadë ndërtimi’ që s’kanë as ndonjë substrat ideologjik. Deri në fjalimet e qëndrimet politike që ato mbajnë ti mund të argëtohesh me inkoherencën e retorikës së tyre dhe fantazmën e mendimit të majtë që i përndjek pa armëpushim, ngaqë, normal, i kanë shkelur territorin. Fare haptazi, mund të të rastisë të dëgjosh një sekretar të Aleancës Kuq e zi që citon Antonio Gramsci-n si pikë reference në çështjen e konfliktit mes individualizmit dhe solidaritetit, ose teksa premton konfiskime masive të pronave të të pasurve në zonat rezidenciale dhe shpërndarjen e tyre për kompensimin e shtresave të dëmtuara nga sistemi i kaluar.

Të kthehemi tek tubimi nacional-hekurudhor; sigurisht që gjendja e sistemit të këtij shërbimi është aq e degraduar tashmë, saqë gjithçka që mund të propozosh për ndryshimin e tij s’ka asnjë shans ta përkeqësojë atë. Çështja është se, disa e marrin mundimin të paktën të ngrenë shqetësime e të mobilizojnë opinionin publik, qoftë edhe me një aksion modest. Disa të tjerë, që e kanë edhe për mision politik, përkundrazi, jo.

“E kemi ngritur zërin për këtë çështje”, të thonë përfaqësuesit socialistë, nëse i kritikon për mungesë veprimi në iks apo ipsilon problematikë shqetësuese për njerëzit. Në të vërtetë “ngritje zëri” ata quajnë larjen e duarve me ndonjë status të revoltuar në rrjetet-pezhishka robëruese sociale, ndonjë fjalim në mbledhjen e radhës së partisë, ja maksimumi ndonjë referat teatral midis gogësitjesh në Kuvend.

Me kaq është i kufizuar prej kohësh shërbimi i majtë opozitar për qytetarët në këto vite të qeverisjes së djathtë. Për standardin e vendosur prej tyre, kjo është ajo që quhet “mision i plotësuar” ose “detyrë e kryer”. Rrallë e tek, në trajtën e vet kulmore të revoltimit që ndiejnë të majtët për problemet e të majtëve, shfaqet ndonjë letër drejtuar Kryeministrit (por gjithmonë për dijeni të medias, e cila me këtë rast, ofron falas 5-minutësha fame). Përveç kësaj mase dembele asgjëje, nuk ka tjetër përpjekje për të ndryshuar diçka në terren.

Sa greva punëtorësh të sektorëve më shfrytëzues janë organizuar me thirrjen e PS-së? Llogaritë dalin keq. Si i ka mbështetur kjo parti “e majtë” iniciativat nga poshtë që kundërshtojnë abuzimin nga ana e korporatave, si në rastin e depozitave të naftës në Fier apo pushtimet e nënstacioneve elektrike në disa zona të vendit? Kush duhet ta bëjë tjetër këtë punë përveçse opozitës (sidomos kur vetëreklamohet si e majtë)?

Mendimi pa veprim, ose veprimi pa mendim janë mjerisht mallkimi që ka pllakosur në këto vite të majtën shqiptare. Nuk ka mes saj njerëz që flasin me njerëz, por vetëm eprorë që urdhërojnë vartës. Nuk ka takime që synojnë diçka tjetër, veç të shërbejnë si dekor televiziv. Nuk ka propagandistë që grisin përunjësisht këpucë nëpër lagje të varfra e kalojnë orë me punëtorët dhe familjet e tyre. Nuk ka rini që shpërndan nëpër qytete, ndërmarrje e universitete, manifestet e aspiratave të saj politike. As makar materiale informuese, lexime, referenca nga bota e qytetëruar a dritë çfarëdo. Nuk ka nxitje të mobilizimit qytetar, të solidaritetit vëllazëror a të vetëdijes së kërkesës publike. Nuk ka bashkëpunim të sinqertë me lëvizjen sindikale e as përpjekje për ta zgjuar, për ta fuqizuar e për ta mbështetur atë. Nuk ka frymëzim e as identifikim me kauzat e njerëzve që janë atje poshtë në pritje të një lidershipi përfaqësues.

Nuk ka, me ç’duket, as aftësi e as interes për të ngacmuar çlirimin e energjisë opozitare, përveçse kur bëhet fjalë për të shërbyer si numërorë topi, atëherë kur jep urdhër kryetari. Flitet shumë për impotencën e së majtës sot në Shqipëri, por ky rast, ashtu si shumë të tjerë, më shumë se për deficitin, dëshmon për deficencën e saj.

Kjo deficencë konsiston në paaftësinë për t’i bërë qeverisë një opozitë serioze. Në formën e saj aktuale ajo është provokacion i hapur ndaj atij që duhej të ishte opozitarizmi real në një vend me liri të shtypura. Sidomos, kjo e majtë zyrtare, është fajtore se e ka lënë vendin pa mundësinë e zgjedhjes midis dy të ndryshmeve, karshi kundërshtares së vet politike. Për t’i qëndruar terminologjisë së hekurudhave, organizata politike që drejton sot lokomotivën përfaqësuese të së majtës, e ka nxjerrë këtë të fundit nga binarët e ideologjisë, për ta vërvitur rrokapjekthi në fushën e huaj e kundërshtare të interesit rastësor.

Prej muajsh tashmë, shqiptarë të pashpresë e të lodhur nga keqqeverisja e djathtë në pushtet, pyesin dhe ankohen për kritikën që një pjesë e shtypit dhe e opinionistëve të pavarur i adresojnë opozitës. Shumë prej tyre duan dëshpërueshëm ta shohin këtë opozitë dhe drejtuesin e saj si shpresën e vetme për shpëtim, ndaj e quajnë çdo prishje të vogël qetësie të tijën nga të pabindurit e shtypit, si një akt të pastër sabotimi të kurdisur në komplot me Saliun. Disa prej tyre janë aq të terrorizuar nga ideja e një shpimi peniciline në mollaqe, saqë refuzojnë me këmbëngulje të besojnë se kritika ndaj mënyrës së deritanishme të opozitimit është një antibiotik i detyrueshëm vetëpastrues i së majtës. Një mision që ajo vetë duhet ta kryejë së brendshmi, nëse kërkon me tërë mend të konfirmohet si një forcë që ngjall inspirime, të cilat sot nuk i ka.

Për shumë shqiptarë, të cilët sot ajo i ka kthyer kundër vetes dhe e shohin si një bashkëqeverisëse hije apo si kandidate të sigurt për të abuzuar nesër me pushtetin, kjo është mundësia e vetme se si kjo opozitë mund t’i rifitojë ata sërish.

Në një sondazh të kryer ditët e fundit nga gazeta “Shqip”, ku lexuesve u kërkohej të tregonin përkatësinë e tyre politike, ata që u deklaruan si “të majtë pa parti” apo “të pavarur” ishin afro 35% e pjesëmarrësve (20% pa parti, 15% të pavarur). Ata që identifikoheshin si “të majtë me PS-në”, rreth 19%. Vetëkuptohet që shumica e atyre të përfshirëve në përqindjen e të papërfaqësuarve, janë potencialisht vota që PS-ja i ka humbur përfundimisht dhe duhet t’i harrojë.

Ky refuzim civil, tok me rezistencën intelektuale që ajo gjeneron në shtyp kundrejt alternativës përfaqësuese të së majtës në institucionet politike është i destinuar të mos ndalet. Presioni i tij do të sjellë të paktën hyrjen e detyrueshme në binarë të organizatave politike të majta përmes reformimit, rishpalljes dhe madje, rithemelimit të tyre. Në të kundërt, e gjithë kjo energji njerëzish të margjinalizuar e të lënë pa mundësi përfaqësimi politik, ka për ta gjetur rrugën e vet. Mbase me trenin e ndonjë linje tjetër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA