Marrëdhënia e vështirë Clinton-Obama

03/09/2012 00:00

“Pak vite më parë ky djalë do të ishte duke mbajtur valixhet tona”. Kjo ishin fjalët e dala as më pak e as më shumë nga vetë Bill Clinton në vitin 2008, kur gjatë fushatës brenda demokratëve i kërkonte ish-senatorit Ted Kennedy mbështetjen për bashkëshorten e tij, Hillary Clinton.

Sa i vërtetë është ky pohim ende nuk dihet, por revista New Yorker shkruan në një artikull të gjatë analizon marrëdhënien e vështirë mes dy presidentëve demokratë. Sipas revistës, që nga 2008-ta, Obama nuk gëzon simpatinë e Clinton që kundërshton disa prej politikave strategjike të tij.

Megjithatë ambicia për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka shtyrë presidentin aktual amerikan të afrohet me “kundërshtarin e tij brenda llojit”. Obama-s i nevojiten fonde për t’u përballur me Romney-n e për këtë, Clinton njihet si një lobues i mirë, sidomos nëpërmjet organizatave dhe shoqatave të themeluara nga vetë ai.

Clinton pranoi ta ndihmojë Obama-n në rrugën drejt rizgjedhjes dhe për këtë u shfaq në spotin e 15 marsit ku mbështeste planin e tij ekonomik. “Presidenti Obama ka një plan të mirë për rimëkëmbjen e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara. Pa një shtresë të mesme të fortë, ashtu sic ishte gjatë presidencës time, s’ka ekonomi të fortë”, thotë Clinton.

Se sa i rëndësishëm është Clinton për demokratët që të mbajnë presidencën për një tjetër mandat, këtë e tregon vendi i veçantë në Konventën e Demokratëve që do të mbahet në Charlotte. Bill Clinton do të flasë në natën hapëse të Konventës, një natë para fjalës së presidentit Obama.

E sa më shumë afrohet 6 nëntori, aq më shumë afrohen dy “rivalët”. Para pak ditësh, Obama mori leksione golfi (jo vetëm) nga ish-presidenti Clinton dhe New Yorker me të drejtë shkruan: Sigurisht që nuk është folur vetëm për golfin!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB