Kombëtarja shqiptare filloi përgatitjet për dy ndeshjet eliminatore të Botërorit të vitit 2014. Në 7 shtator kuqezinjtë tanë do të luajnë kundër Qipros në Tiranë, ndërkohë që më pas do të përballen me Zvicrën në Lucernë.
Trajneri italian i përfaqësueses sonë ka dalë në një konferencë për shtyp ku vëmendjen më të madhe e ka përqëndruar tek sfida me qipriotët.
“Qipro nuk është ajo që ka qenë dikur. Kjo skuadër ka bërë përmirësime të ndjeshme dhe jo rastësisht ka klube që luajnë në aktivitetet europiane. E ndoqa Qipron edhe në ndeshjen e 15 gushtit dhe ishte në një gjendje të mirë fizike, e organizuar mjaft mirë dhe agresive. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi është ndeshja e parë e eliminatoreve dhe kjo ka një rëndësi të veçantë”, deklaroi De Biazi.
Më pas, trajneri foli edhe për mënyrën sesi do të luajë skuadra jonë përballë Qipros duke vënë theksin te kundërsulmi.
“Duhet të bazojmë lojën te forca fizike, agresivititeti dhe kundërsulmi. Nuk jemi ende në gjendje që të marrim kontrollin e ndeshjes që nga fillimi për ta administruar deri në fund”.
Në fund, De Biazi refuzoi të japë të dhëna për formacionin bazë për përballjen me Qipron duke theksuar se nuk dëshiron që t’i japë avantazhe skuadrës kundërshtare.
“Nuk dëshiroj t’i jap Qipros informacione për ekipin duke qenë se ka në përbërje futbollistë që janë më në formë se ne. Ne do të kërkojmë të bëjmë të pamundurën në këtë ndeshje për të marrë një rezultat sa më pozitiv. Por, për këtë do të na duhet që në këto 4-5 ditë të puniojmë shumë për të përgatitur sa më mirë sfidën”, përfundoi italiani.
Top Channel