Cristiano Ronaldo shënoi dy gola ndaj Granada në fitoren 3-0 të Real Madrid, por sulmuesi portugez nuk i festoi si përherë këto gola.
Pas ndeshjes, portugezi deklaroi për mediat spanjolle: “Jam i trishtuar dhe drejtuesit e klubit e dinë. Për këtë arsye nuk i festoj golat. Janë çështje profesionale. Nuk mund të them asgjë më shumë.”
Cristiano doli nga loja në minutën e 64 për një dëmtim dhe pasi ndenji 10 minuta në stol u largua në dhomat e zhveshjes pa pritur përfundimin e takimit.
Kur u pyet për arsyet e këtij trishtimi, portugezi deklaroi sërish se drejtuesit e dinë arsyen dhe kjo është më e rëndësishmja.
Sipas ‘AS’, sulmuesi është takuar ditën e shtunë me presidentin e klubit, Florentino Perez, duke i bërë të ditur edhe mundësinë e largimit nga merengues. Ronaldo nuk ndihet mirë me shokët e ekipit. Fillimisht është zhgënjyer nga Marcelo, shoku i tij i ngushtë, i cili ka mbështetur Casillas-in për çmimin Topi i Artë FIFA.
Gjithashtu marrëdhënia me lojtarët spanjollë të kampionëve në fuqi të Spanjës nuk është idealja.
Një tjetër arsye mendohet të jetë rinovimi i kontratës (i skadon në vitin 2015) dhe rritja e mëtejshme e pagës prej 10 milionë eurosh në sezon. Di Maria, Albiol dhe Arbeloa janë tre nga lojtarët që kanë rinovuar kontratat, ndërsa portugezi ende nuk ka marrë asnjë telefonatë.
Top Channel