Milani ka lënë pas krahëve nisjen zhgënjyese të këtij sezoni në Serinë A. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 3-1 në transfertë ndaj Bolonjas në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së shtunës.
Ai që vulosi këtë takim ishte Pazzini, sulmuesi i shkëmbyer me Cassano-n gjatë merkatos verore. Pazzo fitoi një 11-metërsh dhe e shndërroi në gol po vetë atë në minutën e 16 të takimit. Në minutën e 77, sulmuesi ish-interisti përfiton nga një pasiguri e portierit vendas dhe shënon golin e dytë për Milanin. 8 minuta më vonë, devijon me takë një goditje të Noceronis duke gjetur sërish rrjetën.
Goli për skuadrën e Bolonjas u shënua në minutën e 42 të takimit me 11-metërsh nga Alessandro Diamanti.
Në ndeshjen tjetër të luajtur më herët gjatë së shtunës, Torino mposhti Peskarën me rezultatin 3-0. Sot luhen ndeshjet e tjera të Serisë A, që nisin në orën 18:00 me Udineze-Juventus, ndërsa në mbrëmje luhet supersfida e javës, Inter-Roma.
Top Channel