
Aleanca KuqeZi nisi fushatën denoncuese me moton “Fytyrat e krimit”, ku akuzon kryeministrin Berisha për “tradhëti të lartë kombëtare”.
Kreu i kësaj partie, Kreshnik Spahiu, akuzoi kryeministrin Berisha për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Zoti Spahiu tha se Berisha, sipas Kodit Penal shqiptar meriton burg përjetë për këtë vepër penale.
Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, Aleanca KuqeZi kërkon nderimin e Rilindasve dhe ndëshkimin e tradhëtarëve, që sipas saj kanë zaptuar sot pushtetin dhe janë në gjendje të bëjnë gjithcka për ta mbajtur atë, madje edhe shitjen e territorit. Spahiu kërkoi hartimin e dosjeve për tradhëtarët, dosje që duhet të jenë, sipas tij, transparente dhe publike për popullin.
Këto ishin akuzat e radhës të AK-së ndaj kryeministrit Sali Berisha. Në ditën e Fiter Bajramit kjo parti akuzoi kreun e mazhorancës për diskriminim të besimtarëve muslimanë duke i gënjyer ata për xhaminë e re. Ndërsa në një tjetër takim, këtë herë me pushuesit kosovarë në portin e Shëngjinit, Spahiu e konsideroi kryeministrin si “krokodilin e politikës të vënë në shërbim të grekëve dhe serbëve”.
Top Channel