ARTAN LAME – Piktura “Anunciation” (Lajmërimi) e piktorit flamin Jan van
Ajk (Jan van Eyck) e vitit 1435, është një nga kryeveprat e artit
mesjetar europian.

Pa bërë shumë histori, kjo pikturë në mes të shekullit XIX, dorë pas dore kishte përfunduar në eksponatet e Muzeut Hermitazh në Shën Petërburg, prej ku e trashëgoi Rusia Sovjetike. Në vitet ’30 të shekullit që shkoi, Stalini, i gjendur ngushtë për valutë të huaj, ndërmori shitjen në Perëndim të një vargu veprash arti të huaja që gjendeshin nëpër muzetë sovjetikë. Një krim i vërtetë arti, por që aso kohe askush nuk guxonte ta kundërshtonte.

Kështu, një ditë të bukur, kuratorëve të Hermitazhit, u arriti një telegram nga Moska, që i urdhëronte “të dorëzonin pikturën Lajmërimi të Van Dajk-ut”. Të shkretët kuratorë, e dinin që nuk mund të bënin asgjë kundër këtij urdhri të nisur nga Kremlini, e megjithatë provuan ta shpëtonin pikturën, duke rrezikuar kokën e tyre. Gabimisht, në telegramin e burokratëve injorantë të Moskës, shkruhej “van Dajk”, ndaj ata u përgjigjën se në Muze nuk kishte asnjë piktor me këtë emër. Mirëpo pas disa ditësh, mbërriti telegrami i korrigjuar, ku shkruhej “van Ajk”. S’kishin ç’të bënin më, kokulur iu nënshtruan fatit dhe sot piktura gjendet në Galerinë Kombëtare të Uashingtonit, e blerë prej miliarderit amerikan Andrew Mellon.

Jam i bindur që në kohë të ndryshme e në vende të ndryshme, zyrtarë të ndërgjegjshëm janë përpjekur t’u bishtnojnë kështu urdhrave të të mëdhenjve të kohës, që ndryshe nuk kishe si t’u dilje ballas. Ja, t’ju jap një rast tonin.

Diku nga viti 2000, Bashkia e Durrësit dha një leje ndërtimi për një pallat nja 10 a 15 kate, në krah të Bankës së Durrësit, në vendin ku gjendej godina që kishte shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në kohë të Princ Vidit, më 1914-n. Godina e qeverisë së Princit shkoi e vate, por gjatë hapjes së themeleve të mostrës prej betoni, dolën në skenë edhe muret antike të Dyrrahut dhe ndër to edhe Porta Aurea, porta prej nga niste rruga Egnatia nëpër Ballkan, deri në Selanik e Kostandinopojë.

Për ta ndaluar lejen e dhënë, puna shkoi deri në KRRTRSH, i cila mori vendim për ndalimin e punimeve. Tani i mbetej Policisë Ndërtimore të zbatonte urdhrin nga lart, të bllokonte punimet dhe kështu, fap, shpëtohej Porta Aurea. Muajt kalonin, por asgjë nuk ndodhte. Sa më shumë jepeshin urdhra nga Tirana, aq më shumë shtoheshin katet në Durrës. Në fund u mor vesh se KRRTRSH-ja i shkruante Ministrisë për ndalimin, Ministria i shkruante Drejtorisë së Policisë Ndërtimore, kjo i shkruante Degës së saj në Durrës, pastaj këta përgjigjeshin se në adresën e dhënë nuk po ndërtohej objekt me karakteristikat e dhëna. Durrësi i kthente përgjigje Tiranës, Tirana, Ministrisë, Ministria, Kryeministrisë dhe çdo gjë fillonte nga e para, ndërsa katet e betonta mbi Portën Romake shtoheshin. E gjitha ishte një përpjekje e atyre nëpunësve të vegjël të Durrësit që, bazuar mbi një gabim numri në adresë, bënin sikur nuk e kuptonin se ku ishte pallati që duhej të ndalonin.

Tamam si ata nëpunësit e mirë të Hermitazhit sovjetik. Apo e kam gabim? Ata të shkretët përpiqeshin të devijonin një urdhër të marrë nga lart, ndërsa këta tanët, të Durrësit, po përpiqeshin të bënin të kundërtën. Ata nëpunësit e Hermitazhit deshën të bënin një vepër të mirë, por dështuan, megjithatë hynë në histori me përpjekjen e tyre. Këta nëpunësit dallkaukë të Durrësit, deshën të bëjnë një vepër të keqe dhe ia dolën. Nuk hynë në histori, por vepra e tyre e keqe do të vazhdojë të përdhosë pamjen e qytetit edhe për nja njëqind a dyqind vjet të tjerë.

 

GAFA E GIO PONTIT

Para nja dy muajsh në Paris u hap një ekspozitë e quajtur “Gio Ponti në Paris”. Ponti ka qenë një arkitekt italian dizajni, që ka krijuar në vitet 1930-1960 dhe është quajtur ndërkombëtarisht si “father of modern design” (babai i dizajnit modern). Dizajnonte përgjithësisht ambiente të brendshme, mobilie dhe aksesorë. Pikërisht me krijime të tij dhe me dizajn të tyre, u hap edhe kjo ekspozita që ju thashë. Besoj se nuk është nevoja të shpjegoj se çdo me thënë të hapësh ekspozitë në Paris.

Po ku lidhet Gio Ponti me Shqipërinë? Ja se aty dua të dal. Pas pushtimit italian, në ëndrrat e Musolinit, Shqipëria do të ishte baza fillestare për Perandorinë e Re Romake në Ballkan. Në këtë skemë, Tirana do të luante rolin e kryeqytetit ballkanik të Perandorisë. E shihni se çfarë roli na kish rënë në pjesë? I gjithë plani i ri rregullues i Tiranës, bulevardet, godinat madhështore, ishin në funksion të këtij projekti ballkanik. Natyrisht që për këtë projekt, italianët mobilizuan arkitektët e tyre më të mirë, që i bie të ishin praktikisht edhe më të mirët e botës, të cilët lanë punët e tyre në Romë, Firence e Milano dhe erdhën këtu te Lana, Varri i Bamit dhe Brraka, që të projektonin qytetin e së ardhmes. Dhe e bënë.

Po italianët nuk mjaftoheshin vetëm me pamjen e jashtme të godinave. Si perfeksionistë që ishin, ata që në projekt përfshinin edhe pamjen e brendshme, dekorin, mobiliet, e gjithçka tjetër, të cilat projektoheshin një pas një deri në imtësi, apostafat për ambientin ku do të vendoseshin. Me një fjalë, nuk bënin një tender për betonin, një për ndërtimin një të tretë për tavolinat, një të katërt për abazhurët, por të gjitha projektoheshin nga e njëjta dorë dhe në një stil e unitet integral. Kështu u veprua edhe për hotel “Dajtin”, në projektimin e elementeve të të cilit u përfshi edhe Gio Ponti. Dhe në fakt, elemente dekorative të gdhendur në mermerin e fasadës së hotelit, përsëriteshin edhe në frizat e brendshme të gdhendura në dru, edhe në abazhurët e qelqtë të tavaneve, edhe në fajancën e restorantit, edhe në tavolinat e karriget e tij, e deri në çarçafët e dhomave të gjumit. Ishte pikërisht ky integritet dizajni që e bënte hotelin ai që ishte. Dhe të gjitha këto i kishin projektuar Gherardo Bosio me Gio Ponti-n. Këta ishin pushtonjësit.

Pastaj erdhëm ne, çlironjësit. Hotel “Dajti” u mbyll përfundimisht në vitin 2005 dhe demek kaloi në ruajtje. Termi “në ruajtje” në Shqipëri përkthehet “në rruajtje”. Gjithçka u plaçkit pa mëshirë dhe në mënyrën më barbare të mundshme. U vodh çdo gjë që mund të lëvizej, u shkul çdo gjë që mund të shkulej dhe u thye çdo gjë që nuk shkulej dot. Dhe e gjitha kjo vetëm 50 metra larg Ministrisë së Brendshme. Që meqë ra llafi, ne presim të mbajë rendin dhe të ndalojë vjedhjet nëpër male e nëpër skajet e vendit.

Sot ish-hoteli është një zhguall bosh prej betoni që ka humbur gati gjithë vlerën e vet. Dhe e gjitha kjo ndodhi jo në shekullin XII nëpër stepat e tribuve barbare, por në fillim të shekullit XXI dhe mu midis Europës. Në fakt nuk është faji ynë. Ne këtë dimë të bëjmë, të vjedhim e të shkatërrojmë sapo na jepet mundësia. Faji i vërtetë ishte i Bosio-s dhe i Ponti-t. Me gjithë hapësirat e pamata të Perandorisë e të Europës ku ata mund të shkonin e të projektonin mrekullitë e tyre, i la mendja dhe erdhën të projektojnë buzë Lanës rrëzë malit të Dajtit. Çdo kërkosh do të gjesh – thotë populli.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA