Guinea, përmbyset varka, 30 të mbytur

01/09/2012 21:55

Të paktën 30 persona besohet të kenë vdekur pasi një varkë që po i transportonte është përmbysur në oqeanin Atlantik, në brigjet e shtetit të Guineas, në Afrikën Perëndimore.

Nga ngjarja ka pasur edhe shumë të mbijetuar, por skuadrat e shpëtimit deklarojnë se nuk ka më shpresa për të gjetur persona të tjerë të gjallë.

Varka po transportonte persona nga kryeqyteti Konakri në një ishull, kur papritur, sipas një dëshmitari, është përplasur me disa shkëmbinj për shkak të erërave të forta.

“Ne po vazhdojmë kërkimet me shpresën për të gjetur të mbijetuar, por 30 persona tashmë kanë vdekur”, ka deklaruar një zyrtare për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ndërsa një dëshmitar tjetër ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se udhëtarët ishin kryesisht femra dhe tregtarë. Ngjarje të tilla, me varka të vjetra dhe që mbushen plotë nga banorët, janë të zakonshme në Guinea.

Top Channel