Tirana numëron rreth 5000 familje të pastrehë, ndërkohë që 400 banesa
sociale të përfunduara së ndërtuari nga Bashkia e Tiranës që prej dy
vitesh në zonën e Shkozës, qëndrojnë bosh e nuk vihen në funksion.
Kreu i grupit te Këshilltarëve Socialistë Aldrin Dalipi akuzon zotin Basha se kërkon t’i shfrytëzojë këto banesa per klientet e tij politik, nderkohe qe duke i vene ne funksion per qytetaret ne nevoje do te zbuse disa probleme sociale qe kane lidhje, si me punesimin ashtu dhe varfërinë.
“Rreth 400 familje të Tiranës do të strehoheshin dhe do të zbuteshin sadopak problemet e tyre familjare, ndërkohë që projekti duhet të vazhdonte. Ka një vit zoti Basha në krye të bashkisë së Tiranës, ashtu sikurse bëri dje mazhoranca e tij në Këshillin Bashkiak, atëherë edhe sot zoti Basha po na tregon që këto banesa po i mban peng për interesa klienteliste apo interesa politike për shpërblime të caktuara politike. Këto 400 banesa në mënyrë urgjente duhet t’u vihen në dispozicion qytetarëve të Tiranës përmes kritereve të mirëpërcaktuara që janë zgjidhur nga bashkia e mëparshme. Këto 400 banesa do të zgjidhnin në këtë zonë sadopak problemet sociale, pasi këtu janë parashikuar edhe shërbime në katet e para, pra po themi ku mund të ushtrojnë biznese të vogla apo të tjera shërbime tregtare”, tha Dalipi.
Dalipi thekson se listat me emrat e qytetarëve që duhet të përfitojnë strehim ne banesat sociale nuk jane parashikuar per miratim as ne mbledhjen e radhes te Keshillit Bashkiak, qe do te zhvillohet ne muajin shtator.
“Sot Tirana përballet me probleme të mëdha sociale. Papunësia, taksat që u shkojnë dy-tre herë më të larta bizneseve të vogla. Nga ana tjetër rritja e çmimeve janë probleme të cilat po thellojnë varfërinë në kryeqytet. Duhet të kishte filluar një projekt tjetër, pra për banesa të tjera për qytetarët e Tiranës, por kjo është një dëshmi e hapur, një dëshmi shumë e qartë se bashkia e Tiranës nuk ka në interes qytetarin, nuk ka në interes zgjidhjen e problemeve sociale, nuk ka në interes zbutjen e problemeve sociale me të cilat kryeqyteti po përballet cdo ditë. Unë i kërkoj dhe njëherë sic ia kam kërkuar më parë kryetarit të Bashkisë që t’i bjerë në Këshillin Bashkiak emrat e qytetarëve të cilët do të përfitojnë këto 400 banesa dhe menjëherë të fillojë një projekt tjetër për banesat sociale në Tiranë”, tha Dalipi.
Reagon Bashkia
Pas deklarates së kreut të grupit të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak ka reaguar nëpërmjet një deklarate Bashkia e Tiranes, e cila i konsideron mashtrime ato cka thuhen nga zoti Dalipi.
Ne deklarate thuhet se banesat sociale nuk jane marre ende ne dorezim nga bashkia e Tiranes per shkak te problemeve te mbartura, te cilat sipas tyre i di zoti Dalipi.
Sipas bashkise, keto banesa do te vihen menjehere ne funksion te qytetareve sapo te perfundojne. Zedhenesja e Bashkise thote se punimet ne keto banesa sociale nuk kane kane perfunduar ende per shkak te problematikes se mbartur nga administrata e meparshme.
Top Channel