
Sergei Ovchinnikov, i cili drejtoi ekipin kombëtar të volejbollit të
femrave në Olimpiadën e Londrës, u gjet i pajetë të mërkurën në dhomën e
një hoteli në Kroaci.Mendohet se 43-vjeçari i ka dhënë fund jetës së
tij, duke u vetëvarur, por për këtë ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
“Sergei Ovchinnikov papritur u nda nga jeta, në një kamp ku ekipi i Dinamos së Moskës, po zhvillonte fazën përgatitore në Kroaci”, shprehen drejtuesit e klubit në website-n zyrtar, pa dhënë shkaqet e vdekjes.
Agjencia zyrtare shtetërore Hina, citoi një zëdhënës policie, i cili më parë kishte njoftuar se një shtetas i huaj u gjet i vdekur në qytetin e Porecit, por pa dhënë identitetin e tij. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende për t’u hetuar.
Ndërkohë mediat kroate raportojnë se trajneri rus ka kryer një vetëvrasje në dhomën e hotelit ku qëndronte, duke u vetëvarur.
Federata Ruse e Volejbollit nuk ka pranuar të komentojë shkaqet e vdekjes së Ovchinnikov. “Jemi duke mbledhur informacione dhe derisa të njihemi me faktet, nuk do të japim komente”, tha një zyrtare ruse.
Ovchinnikov u emërua trajner i ekipit kombëtar në dhjetor dhe e drejtoi ekipin rus të volejbollit të femrave në ndeshjet kualifikuese për Olimpiadën e Londrës.
Në Londër, ekipi rus ishte pretendent për medaljen e artë, por humbi ne cerekfinale me ekipin e Brazilit. Media ruse e kritikoi ashpër Ovchinnikov për dështimin në Olimpiadë, duke theksuar se mungesa e eksperiencës së tij në arenën ndërkombëtare, ishte arsyeja kryesore për humbjen ndaj Brazilit.
“Unë e pashë reagimin e tij pas humbjes. E mori shumë personalisht. E gjykoi shumë ashpër veten që ndeshja nuk nuk u fitua”, tha Vladimir Alekno, trajner i ekipit të volejbollit të meshkujve, fitues i Medaljes së Artë në Londër.
Ndërkohë agjenti i trajnerit, Yegor Nozdrin, u shpreh se problemet personale të klientit të tij, mund ta kenç çuar atë drejt vdekjes. “Sporti dhe ndodhitë që pati aty nuk kanë lidhje me këtë ngjarje. Ai mendonte që të vazhdonte rrugën e tij si trajner, duke diskutuar planet për të ardhmen, përpara se të nisej për në Kroaci. Mendoj se kjo ka të bëjë me jetën e tij personale”, tha agjenti.
Sergei Ovchinnikov, ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
Top Channel