Një avion i ushtrisë siriane u qëllua dhe u rrëzua ndërsa fluturonte mbi krahinën veriperëndimore të Idlibit, bënë të ditur raportime të pakonfirmuara gjatë së enjtes.
Disa pamje amatore të transmetuara në disa kanale satalitore arabe treguan shtëllunga tymi në ajër dhe një pilot të parashutuar.
Lajmi u transmetua në ditën kur përfaqësuesit e qeverisë siriane u përplasën diplomatikisht ne takimin me grupin e Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, mbajtur në Iran.
Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, në fjalën e mbajtur në Teheran sulmoi ashpër “regjimin despotik të Damaskut”, duke bërë që diplomatët sirianë të braktisnin sallën në mënyrë demonstrative.
Udhëhequr nga Jugosllavia në kohën e Luftës së Ftohtë, blloku i vendeve të paangazhuara gruponte dhjetëra shtete që nuk i përkisnin as sferes komuniste dhe as asaj perëndimore në ato dekada.
Ditët e sotme, lëvizja vazhdon të ketë një rëndësi simbolike, por takimi pritej me interes për Sirinë, pasi në organizatë janë të grupuara shumica e vendeve arabe.
Aktualisht, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në kryeqendrën ekonomike të Alepos, ku sipas një organizate të të drejtave të njeriut, kriza humanitare tashmë ka arritur nivele alarmante, ndërsa autoritetet janë duke qëlluar pa dallim edhe mbi civilët.
Top Channel