Kandidati për zv.president të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan premtoi një “ndryshim të madh” të Amerikës, në fjalimin e parë të konventës së republikanëve që po mbahet në Tampa të Floridës.
Kongresmeni nga Uiskonsin tha se ai dhe republikani i emëruar për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney, nuk do t’u bëjnë bisht çështjeve të mëdha.
“Pas katër vitesh vërdallosje, Amerika ka nevojë për një ndryshim të madh dhe njeriu i duhur për këtë është guvernatori Mitt Romney”, tha Ryan në fjalimin e tij.
Në këtë fjalim, në ditën e dytë të konventës, zoti Ryan tha gjithashtu: “Ne do t’i zgjidhim problemet ekonomike të këtij vendi. Unë do të ulem bashkë me ju. Nuk kemi shumë kohë”.
Në atë që ishte paraqitja më e madhe publike e tij, kryetari i komisionit ekonomik në Dhomën e Përfaqësuesve, pranoi gjithashtu emërimin për kandidimin për zv.president.
“Ne nuk do t’i anashkalojmë çështjet e vështira. Ne nuk do të kalojmë katër vjet duke fajësuar të tjerët, ne do të marrim përsipër përgjegjësinë”, theksoi 42-vjeçari.
Senatori i Arizonës, John McCain, kandidat për president në vitin 2008, është në podium bashkë me ish-sekretaren e Shtetit, Condolezza Rice, e cila do të mbajë gjithashtu një fjalim.
Zoti Romney do të sfidojë Barack Obama-n për drejtimin e shtëpisë më të fuqishme në botë në zgjedhjet e nëntorit.
Top Channel