Ish-presidenti Alfred Moisiu duke komentuar propozimin e maxhorancës për
mbajtjen e një referendumi, për heqjen imuniteteve, shprehet se kjo çështje
duhet të zgjidhet në rrugë kushtetuese.
Zoti Moisiu është i mendimit se duhen gjetur rrugët parlamentare në zgjidhjen e këtij ngërçi që ka përfshirë politikën shqiptare.
“Forma e heqjes duhet parë si e lejon Kushtetuta. Duhet thënë se me problemin e imuniteteve për fat të keq, më shumë po luhet, kam përshtypjen unë dhe i ngjan si asaj punës së lojës me kungulleshkat. Sepse kur ka dashur politika shqiptare edhe brenda natës ka bërë qametin duke ndryshuar gjysmën e Kushtetutës. Problemi nuk është se duhet referendum apo duhet me Parlament. Unë do të thoja se me Parlament është më mirë, sepse në fund të fundit duhet të ulen politikanët tanë dhe të mendojnë seriozisht për problemet që ka vendi përpara”, tha Moisiu.
Politika shqiptare nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën, sipas tekave të saj thotë Alfred Moisiu, i cili deklaron se ligji themeltar i shtetit ka nevojë edhe për ndryshime të tjera. Njëra prej tyre mënyra e zgjedhjes së Presidentit.
“Kushtetuta ka nevojë për ndërhyrje por duhet ndërhyrë në mënyrë të studiuar, siç e bën e gjithë bota.Çdo ndryshim duhet bërë sic thotë populli ‘mat shtatë herë dhe prit njëherë’. Edhe problemin e zgjidhjes së presidentit ne duhet ta ndryshojmë në Kushtetutë. Dhe ne kemi dy vjet që e ngremë këtë problem. Urdhëro,u zgjodh Presidenti i ri, ku për mendimin tim u bë një zgjedhje nëpërmjet një procedure jo të hijshme, që mos të them se u bë një Pazar, se në fakt një pazari i ngjau. Pra, këtu ka nevojë që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli”, tha Moisiu.
Ish-presidenti është i mendimit se duhen patjetër ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues dhe atyre në Gjykatën e Lartë. Sipas zotit Moisiu gjykatat janë zaptuar nga korrupsioni politik.
“Dhe që mos të zgjidhen tek ne gjyqtarë që vërtetë të anojnë, duhet patjetër që zgjedhja e tyre të bëhet me një shumicë të cilësuar. Ne për imunitetin bëjmë shumë zhurmë por kemi raste që është hequr imuniteti dhe asgjë nuk është bërë. Nuk qëndron e keqja te imuniteti, e keqja është se si ne i trajtojmë. Sa merret një rast kur ndërhyn prokuroria apo gjyqësori menjëherë politika zë e cirret. C’punë ka politika se c’bën drejtësia? Për mua korrupsioni politik është më i rrezikshëm se korrupsioni ekonomik. Pse? Sepse kjo e nënshtron gjyqësorin ndaj politikës, pasi politika i thotë që unë do të zgjedh anëtarë të Gjykatës së Lartë apo kushtetuese dhe ti bëj këtë që dua unë”, tha Moisiu.
Moisiu: Kakofoni qëndrimesh për kufirin detar me Greqine
Shqetësuese. Kjo është fjala që përdor zoti Moisiu në lidhje me zhvillimet e deritanishme që lidhen me rinegocimin nga qeveria shqiptar të marreveshjes së kufirit detar me Greqinë.
“Vetë mënyra si po zhvillohen ngjarjet të them të drejtën është shqetësuese sepse del ministri i Jashtëm dhe thotë një fjalë, del kryeministri dhe thotë një tjetër, del një deputet thotë dicka tjetër duke krijuar një kakofoni. Kjo do të thotë që këtu ose nuk janë menduar gjërat, ose fshihen gjërat. Sido që të jetë është keq. Unë gjykoj se ne shqiptarët, populli jonë duhet të jetë shumë vigjilent në këtë drejtim.Nuk mund të tregtohet me territorin e vendit qoftë i detit qoftë i tokës, qoftë edhe një pëllëmbë s’mund të jepen këto për interesa politike afatshkurtra”, theksoi Moisiu.
Top Channel