Kriza e Eurozonës, Merkel viziton Kinën

30/08/2012 00:00

Kancelarja gjermane mbërriti në Pekin për një vizitë zyrtare ku do të ketë takime me drejtuesit më të lartë kinezë.

Vizita e Merkel nisi me takimin me homologun e saj, Uen Jibao në kuadër të bisedimeve për raundin e dytë të konsultimeve ndërqeveritare mes Gjermanisë dhe Kinës që synojnë thellimin e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.

Kryeministri kinez u shpreh se vendi i tij është i interesuar të investojë në Europë, por me kushtin që të merren parasysh të gjitha risqet e këtyre investimeve.

“Kina do të shtojë komunikimin me Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane, bankat qendrore të vendeve kryesore të Eurozonës në mënyrë që të ndihmojë vendet e BE-së të dalin nga kriza e borxhit”, tha kryeministri Uen Jibao.

Merkel do të ketë një takim me presidentin e vendit, Hu Jintao, kreun e parlamentit, Vu Banguo dhe zv/presidentin Xi Jinping. Kryefjala e gjithë këtyre takimeve pritet të jetë ekonomia. Në këto ditë të vështira për Eurozonën, Kina shihet si një ndër faktorët shpëtues të monedhës së përbashkët, e shumë vende kanë drejtuar sytë nga ajo.

Kjo është vizita e dytë e Merkel në Kinë brenda këtij viti. E para e zhvilluar në muajin shkurt, hodhi bazat për nisjen e konsultimeve ndërqeveritare mes dy vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB