Gjeorgji, 14 të vrarë pranë kufirit me Rusinë

30/08/2012 16:10

Tre ushtarë gjeorgjianë dhe 11 të dyshuar si militantë islamikë u vranë në një operacion të ushtrisë së ish-Republikës Sovjetike pranë kufirit me Federatën Ruse.

Lajmi u raportua të enjten nga mediat e vendit kaukazian.

Forcat e zgjedhura të ushtrisë gjeorgjiane u vendosën në zonë pasi u konfirmua një situatë pengmarrje, me autorë disa persona të dyshuar për kalim ilegal të kufirit nga krahina problematike ruse e Dagestanit, e njohur për aktivitetin e militantëve islamikë.

Sipas korrespondentëve, ekziston frika se ky incident mund të rikthejë tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, të përfshirë në një luftë në 2008-n, pasi “terroristët” e vrarë ishin me shtetësi ruse.

Sipas zëvendësministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Nodar Kharshiladze, militantët liruan pengjet, por hapën zjarr në momentin kur iu kërkua që të dorëzoheshin.

Ai shtoi se për momentin, arsyeja përse militantët kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme dhe identiteti i tyre mbetet i panjohur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA