Javi Martinez, blerja më e shtrenjtë në historinë e Bundesligës, është shprehur se shifra që Bayern Munchen ka paguar për të (40 milionë euro) nuk e vë në presion, por e motivon.
Ish-mesfushori i Athletic Bilbao, i shoqëruar në konferencën për shtyp nga trajneri Jupp Heynckes dhe drejtori sportiv i klubit bavarez, Mathias Sammer, theksoi: “Kur isha 17 vjeç Athletic pagoi 6 milionë euro për të më blerë nga Osasuna. Atëherë nuk ndjeva presion, vetëm motivim. Edhe tani është e njëjta situatë.”
Ndërsa Sammer deklaroi se çmimi i lartë që u pagua për transferimin nuk është faji i lojtarit: “E donim këtë lojtar dhe ishte vendosur një çmim për të. Pikë. Javi Martinez bëri maksimumin duke bërë lëshime tek rroga e duke treguar që ishte i vendosur për të luajtur për ne.”
Nga ana e tij, trajneri Heynckes u shpreh i lumtur për blerjen e re të klubit: “Bëhet fjalë për një nga lojtarët që gjithmonë e kam dashur në ekipin tim që kur isha tek Leverkusen.”
Top Channel