Gjykata e Lartë e Ukrainës hodhi poshtë apelin e lideres së burgosur së opozitës, Yulia Tymoshenko, për dënimin me shtatë vjet heqje lirie për abuzim me pushtetin.
Vendimi do të thotë se tasmë ish-kryeministrja nuk ka më asnjë shpresë për të ndryshuar ndëshkimin e saj në sistemin ukrainas të drejtësisë dhe shpresa e saj e fundit mund të mbetet Gjykata e Strasburgut.
Tymoshenko, aktualish në spital për shkak të dhembjeve në shpinë, nisi dënimin e saj në muajin tetor.
Ajo u shpall fajtore për nënshkrimin e një marrëveshje gazi me Rusinë, në vitin 2009. Vetë kryeministrja e parë femër në historinë e vendit me 45 milionë banorë e ka cilësuar gjithmonë veten të pafajshme dhe gjyqin e saj politikisht të motivuar.
Ndërkohë, avokatët e lideres së burgosur të opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenkos, konfirmuan se do të paraqesin së shpejti çështjen e saj përballë Gjykatës Europiane të Strasburgut.
Presidenti Viktor Yanukovych, kundërshtari i saj i një dekade, është njeriu që udhëheq aktualisht vendin.
Në të shkuarën, ai është shprehur me cinizëm se edhe nëse do të donte të lironte Tymoshenkon, nuk do të mund ta bënte këtë pasi nuk mund të ndërhyjë në pavarësinë e gjykatave.
Sipas raporteve të BE-së, Ukraina është një prej vendeve me statistikat më të këqija përsa i përket ndikimit politik në drejtësi dhe korrupsionit.
Gjykata Europiane e Strasburgut do të mbajë një seancë dëgjimore publike, përpara se të nisë shqyrtimin e hollësishëm të çështjes.
Në bazë të juridiksionit të saj, kjo gjykatë nuk mund të ndryshojë masën e dënimit të vendosur mbi ish-kryeministren, por do të shqyrtojë procedurën e ndjekur në gjyqin e saj.
Nëse do të gjenden parregullsi në mënyrën se si është proceduar dhe ndëshkuar Tymoshenko, Kievit mund t’i imponohen sanksione dhe të kërkohet njëkohësisht lirimi i ish-kryeministres.
Ndëshkimi i konsideruar abuziv i ish-kryeministres bëri që pothuajse të gjithë liderat e vendeve europiane të bojkotonin ndeshjet e futbollit të luajtura në Ukrainë, gjatë Euro 2012.
Top Channel