Turqia kërkon “zonë të lirë” në Siri

29/08/2012 16:20

Turqia i kërkoi të mërkurën Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bëjnë më shumë punë për të ndihmuar refugjatët sirianë të luftës brenda vendit të tyre dhe ata që janë shpërngulur në vendet fqinje.

Aktualisht, më shumë se 80 mijë sirianë jetojnë në kampet të ndryshme në të gjithë Turqinë dhe mbi 200 mijë në kampet e hapura pranë zonave kufitare në shtetet e tjera fqinje.

Ankaraja zyrtare i frikësohet një eksodi masiv, ai ai i gjysmë milioni kurdëve irakenë.  gjatë luftës së Gjirit Persik në vitin 1991 dhe ka hedhur idenë e krijimit të një zone të sigurt brenda Sirisë, që do të vendoset nën administrimin e forcave të NATO-s dhe OKB-së.

”Presim që OKB të marrë seriozisht nën shqyrtim mundësitë për mbrojtjen e refugjatëve të luftës brenda Sirisë dhe mundësinë e ngritjes së kampeve brenda vendit”, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Franca ka mbështetur idenë e Turqisë dhe i është bashkuar gjithashtu thirrjeve për krijimin e një zone të sigurt brenda Sirisë.

Sipas vlerësimeve të Agjensisë së OKB-së për Refugjatët e Luftës, UNHCR, nëse konflikti sirian mbetet i pazgjidhur, më shumë se 200 mijë refugjatë mund të vendosen vetëm në Turqi deri në fund të vitit.

”Kur flasim me shifra që kalojnë dhjetëra e qindra mijë jetë njerëzish, problemi nuk mund të mbetet më i një konflikti të brendshëm të një shteti. Tashmë, në sytë e Turqisë është e qartë që lufta në Siri është një çështje me rëndësi kritike për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”, shtoi Davutoglu.

Top Channel