Superpaga e Guvernatorit

29/08/2012 00:00

Guvernatorët e Bankave Qendrore, përgjithësisht janë të mirëpaguar në të
gjithë botën. Ata ushtrojnë një funksion të rëndësishëm, pasi drejtojnë
politikën monetare, një nga dy instrumentat bazë të politikave
ekonomike.

Por sërish diferencat mes pagës së guvernatorëve ndryshojnë fort nga njëri vend në tjetrin. Një grafik i bazuar në të dhënat zyrtare të bankave qëndrore të vendeve përkatëse dhe të dhënat e Bankës Botërore, tregon se si paguhen guvernatorët në disa nga vendet më të zhvilluara të botës në raport me të ardhurat mesatare për frymë.  
Ironikisht Ben Bernake, shefi i rezervës federale në Shtetet e Bashkuara, ekonomisë më të fuqishme të botës, rezulton ndër më të keqpaguarët. Zoti Bernake ka një pagë vjetore 3.8 herë më të lartë se sa të ardhurat mesatare për frymë të Shteteve të Bashkuara. Në krye të listës, qëndron Mervin King, guvernatori i Bankës së Anglisë, i cili paguhet 12.4 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare të një qytetari britanik. Në vend të dytë, është Ardian Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, rezulton të jetë një nga më të mirëpaguarit. Të ardhurat që ai siguron nga paga e tij vjetore dhe honoraret në Këshillin Mbikëqyrës janë rreth 100 mijë dollarë, ose 11.7 herë më të larta se sa të ardhurat mesatare të një shqiptari.

Me këtë pagë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, paguhet në terma relativë tre herë më shumë se guvernatori më i rëndësishëm i botës, amerikani Ben Bernake, përgjegjësitë e të cilit janë shumë herë më të mëdha, pasi përgjigjet veç stabilitetit të çmimeve edhe për punësimin dhe mbarëvajtjen e ekonomisë.

Përgjithësisht pjesa më e madhe e guvernatorëve paguhen nga 3.5 deri në 7 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare për frymë të vendit të tyre. Këtu përfshihet, guvernatori i Francës, ai i Australisë, i Suedisë dhe madje edhe guvernatori i Irlandës. Ky i fundit gjatë këtyre dy viteve e ka ulur vullnetarisht disa herë pagën e tij, si shenjë solidariteti ndaj krizës dhe vështirësive të financave publike, një akt i huaj deri më tani për zyrtarët shqiptarë.

Përcaktimi i pagave në Bankën e Shqipërisë funksionon si një qark i mbyllur, pasi është vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës ai që i vendos ato. Në Shqipëri madje, paga e guvernatorit nuk është e kufizuar as në hierarkinë kombëtare të pagave. Kjo bën që aktualisht guvernatori të paguhet disa herë më shumë, jo vetëm se presidenti shqiptar, por edhe se ai amerikan, Barack Obama, njeriut më të fuqishëm në botë.

Zoti Obama ka një pagë mesatare vjetore prej 300 mijë dollarësh, që në raport me të ardhurat mesatare për frymë është 6.3 herë më e lartë, nga 11.7 që është ajo e Fullanit.

Ndonëse nuk paguhen nga taksat e qytetarëve, pagat e bankierëve qendrore paguhen sërish me para publike, pasi e drejta e sinjorazhit, një nga instrumentat kryesore më të cilin banka krijon të ardhura, është e drejtë e patjetërsueshme e sovranit, pra qytetarëve. Pavarësia e Bankës Qëndrore është e rëndësishme dhe nuk vihet në diskutim, por në këtë pikë pyetja që shtrohet është, sa larg duhet të shkojë pavarësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB