‘Siria’ në Asamblenë e Përgjithshme

29/08/2012 00:00

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë një mbledhje mbi Sirinë më 4 shtator. Lajmin e kanë bërë të ditur burime të brendshme diplomatike.

Sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Moon dhe përfaqësuesi i ri i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi do të raportojnë mbi zhvillimet e situatës në terren.

Për diplomatin algjerian, që ka zëvendësuar ish-sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, bëhet fjalë për fjalimin e parë zyrtar që nga marrja e detyrës.

Ndërkohë, presidenti sirian Bashar al Assad ka akuzuar qeverinë turke për revoltën që prej 17 muajsh po përgjak vendin. “Turqia mban një përgjegjësi direkte për gjakun që po derdhet në Siri”, ka deklaruar Assad për televizionin lokal Al Dounia.

Assad ka deklaruar ndër të tjera se qeveria siriane ishte në dijeni se disa zyrtarë të saj po planifikonin të dezertonin dhe i ka lejuar ata të largohen.

“Kemi pasur informacione për dezertimet dhe kemi diskutuar për këtë. Dikush sugjeronte që t’i ndalonim, por thamë se nuk ishte e drejtë. Thamë se t’i linim të iknin ishte gjëja e duhur”, ka thënë presidenti.

Assad, i cili ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga posti i kreut të shtetit, ka shtuar se ky lejim “pastron” shtetin nga elementë jo patriotikë.

Top Channel