SOKOL SHAMETI – Shënim: Ky artikull ka për ta lënduar militantin besnik
të partisë. Ndonjërin që ka arritur tashmë në stadin e dashnorit
platonik e të pashpresë të liderit partiak, ky shkrim deri ka për ta
sforcuar të provojë shanset në ndonjë intifadë gojore anonime (sikurse
ngjau sporadikisht me një artikull të 21 gushtit, ku mëtohej të
shpjegohej sesi qeveria e opozita shfaqeshin njëlloj të paskrupullta për
të përfituar nga imagjinari ynë kolektiv karshi Europës).
Nuk ka lexim të pakompromentuar sikurse s’ka as mendim qind për qind të pafajshëm. Gjithsesi, qëllimi i parë i këtij artikulli është të kursejë vuajtjet për viktimat e lehta. Si të ruhet shëndeti i atyre skllevërve që skllavopronarin e vet e kanë institucion? Po ekuilibri i atyre që “s’e mbajnë dot presionin” e vënies së tij në dyshim?
Ndaj ashtu si në TV, ku në programet e sikletshme për moshat e njoma kujdesen lloj-lloj tabelash alarmante për t’i mbajtur larg kontingjentet e syve vulnerabël, është mirë që edhe në rastin konkret t’i lihet vend i dukshëm një demarshi të këtillë paralajmërues. Thënë me dy fjalë: Ky artikull është një “program” për moshat përtej adoleshencës politike.
***
Adorno me Horkheimer-in hulumtojnë në veprën e tyre “Dialektika e iluminizmit”, marrëdhënien problematike mes mitit dhe arsyes moderne të shkencës. Ata përshkruajnë se edhe pse kontradiktore me shkencën, mitologjia nuk duhet marrë për fare joshkencore. Pak a shumë bëhet fjalë për një oksimoron (harmoni e të kundërtave): mitologjia është fundja shkencë e mbetur në orvatje; ajo tenton rrugëdaljet e arsyes njerëzore për atë shkallë të zhvillimit ku ndodhet kjo arsye në momentin e fermentimit të miteve. Pas shekujsh, me gjasë, arsyetimi i sotshëm modern, për sa konkret dhe racional na duket, do të kumbojë po aq mitologjik sa edhe eposi i klasicizmit grek.
Në këtë artikull do ta ulim disi nivelin e diskursit, duke folur pikërisht për të kundërtën e këtij fenomeni. Do të mundohemi të hedhim një sy tek ajo sesi deri edhe ndonjë e vërtetë e pretenduar si e padiskutueshme në arsyetimin tonë aktual shoqëror – siç është teza e antagonizmit politik mes Ramës e Berishës – është realisht një mit banal. Një mit i vaditur kryesisht nga kapitullimi i ndërgjegjes sonë politike dhe vetë asaj çka ne quajmë “politikë”. Por ama, i mbjellë nga korruptimi i furnitorëve të opinionit publik me interpretime lajmesh të freskëta nga Olimpi.
Kur flasim për Ramën dhe Berishën si suplemente të njëri-tjetrit, kjo nuk është një sipërmarrje që kërkon ndonjë çarje transgresive të realitetit. Përkundrazi, është si një shëtitje disaminutëshe nëpër fëmijëri. Një rifrekuentim i përrallës së mbretit që parakalon pa rroba teksa gjithë nënshtetasit sabotojnë vullnetarisht lakuriqësinë e mesazhit që sytë e tyre i japin trurit. (Vini re sesi kjo shëmbëlltyrë merr trajektore interesante kur mbajmë parasysh se, për shembull, të dy personazhet tanë shqiptarë ndajnë një mirëkuptim vëllazëror për sektorin e veshur lehtë të plazhit etj).
Ka njerëz këtu në Shqipëri që e konsiderojnë një ide subversive përpjesëtimin me njëri-tjetrin në mëkat mes dy drejtuesve të organizatave më të popullarizuara politike në vend për këtë periudhë të historisë. Drama e çdo epoke qëndron jo te mosleximi i shenjave të kohës, por te leximi i gabuar i tyre. Duke refuzuar të pranojnë këtë realitet që manifestohet madje me brutalitet, për ta është më e domosdoshme ta gjejnë anomalinë jo tek armiqësia e kundërshtarëve, por te jomiqësia e neutralëve. Këta të fundit, me “diversionin” e tyre vënë më shumë se kushdo në pikëpyetje vërtetësinë e mitit të papajtueshmërisë false Rama-Berisha e bashkë me të, edhe arsyen e ekzistencës së tyre të kombinuar. Shigjetat e mërisë synojnë kësisoj, kah atyre reaksionarëve që shprehin një indiferencë të barabartë injoruese ndaj këtyre dy palëve njëlloj të diskredituara.
Ky këndvështrim kategorik ndaj mundësisë së ngjashmërisë mes këtyre dy “armiqve” për jetë a vdekje (pra edhe të mundësisë së shfaqjes së Mesisë në personin e ndonjërit prej tyre), mbart në radhë të parë në vetvete një problem të paneglizhueshëm. Ai injoron kontekstin në të cilin zhvillohet në realitetin tonë njeriu politik.
Homo politicus-ët shqiptarë janë gjitarë të dënuar t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Ata rriten në një mjedis të ashpër që nuk të lë shumë alternativa. Të ngjitesh në karrierën politike të një vendi si Shqipëria është një sfidë që kërkon kompromise të forta. Sidomos morale. Ndër to, kryesorja është rënia dakord së brendshmi për faktin që ti s’vjen nga ndonjë shkollë tradite politike dhe që madje s’je fare politikan. Që ky është një profesion part-time për ty. Një lloj instrumenti muzikor i mësuar me veshë, i cili gjithmonë do ta mbajë të ndrydhur në vetvete kompleksin e sazexhiut cigan ambulant që s’e frekuentoi dot kurrë një konservator. Rama dhe Berisha, janë të dy, njerëz me po këtë handikap.
Dhe vërtet, nga të gjithë lëmenjtë e profesioneve, politika është në Shqipëri ajo më pak e furnizuara me profesionistë. Zakonisht profesionet që kanë në dorë peshën e fateve të panumërta njerëzore, kalojnë qëllimisht (kuptohet pse) nëpër një golgotë rraskapitëse përgatitjesh teknike, seleksionimi akademik, specializimesh, leximesh e licencimesh. Kështu, ndërkohë që pavarësisht problemeve në Shqipëri, mjekësinë e bëjnë mjekët, arkitekturën arkitektët dhe gazetarinë të paktën ish-studentët e letërsisë – politikën e bëjnë kalimtarë rastësorë.
Duke qenë të dy “handmade men”, politikanë “fai da te” (në një term tregtar të masivizuar në Shqipëri, mund të quheshin “politikanë bëje vetë, bëje mirë”) Sali Berisha dhe Edi Rama vijnë nga e njëjta origjinë koincidence në politikë. Kjo i bën ata njëlloj kompleksivë e me ndjenjë faji kundrejt këtij profesioni që e ushtrojnë të dy pa licencë. Dhe këtu qëndron një nga pikat kryesore që bashkon fatin e këtyre dy replikave.
Vija e demarkacionit mungon mes Ramës dhe Berishës edhe për shumicën e sjelljeve që e bëjnë një lider gjenuin të dallojë nga një spekulant ordiner. Me gjithë ekseset e veta, ata komportohen në thelb njëlloj nëse vendosen përballë të njëjtës situatë ku kërkohet të dalë në pah prej tyre altruizmi, largpamësia apo interesi i së tërës.
Fatkeqësisht, kërkesa politike në Shqipëri, ashtu emotive dhe njëkanatëshe siç është, nuk para e çan kokën për të analizuar në plan të gjerë panoramën që ka para syve. Nga ana tjetër, skuadriljet e opinionistëve në shtyp vazhdojnë prej vitesh të bombardojnë me propagandë ajrore popullsinë civile, duke i shitur mosmarrëveshjet dypalëshe Rama-Berisha për ndarje plaçke (të cilat vijnë si pasojë e karakteristikave që ata i kanë të përbashkëta) si të ishin beteja finale të ndarjes së dy botëve aliene.
Kjo bën që shumë shqiptarë të mendojnë realisht, se kulmi i politikës quhet debati nëse është më mirë që imunitetet të hiqen më 6 gusht, apo ndonjë ditë tjetër jo aq të nxehtë. Që ministër i Brendshëm të jetë Flamur Noka apo të themi, në një të ardhme Ilir Beqja. Që votat t’i numërojë Arben Ristani apo Ilirian Celibashi. Pesë vota plus Rama, apo dhjetë vota plus Basha.
Se çfarë këndvështrimesh kanë liderët partiakë që udhëheqin me pasion debatet e zjarrta të mësipërme, në çështje që mund të ndikonin direkt në përmirësimin e jetës së njerëzve, për këtë nuk e vret mendjen njeri. Zaten, ato janë çështje që qëllimisht mbahen në një nivel debati ose të ulët, ose ekskluzivisht të ndërlikuar. Një lloj errësimi i detyruar, shtetrrethim informativ, brenda të cilit është mirë të mos hedhë sytë dyshues njeri, sepse ose është e rrezikshme, ose është e panevojshme, ose është e parëndësishme.
Liderët politikë janë maska të njerëzve të tjerë, thotë filozofia politike. Ata janë pseudonime të interesave që përfaqësojnë. Duke qenë se si Rama si Berisha në thelb janë përfaqësues të shtresave të mesme e të pasura që janë përfituesit direktë të aksioneve të tyre politike, qëndrimet e tyre janë të kushtëzuara nga interesat që i mbështesin, financojnë dhe i mbrojnë ata në pushtet. Retorika e tyre në raport me masat e të varfërve (të cilët fatkeqësisht janë edhe shumica e elektoratit në partitë e tyre) është mbi të gjitha demagogjike dhe e udhëhequr nga improvizime të momentit sa për të fituar kredit të përkohshëm në garën se cili grup mbështetësish të pasur do të marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit.
Kështu, nuk ka ndarje midis PS dhe PD (lexo: Ramës dhe Berishës) në diskutimin nëse duhen privatizuar apo jo ndërmarrjet publike. Kundërshtitë mes tyre mbahen qëllimisht vetëm në nivele teknike, nëse privatizimet janë duke u kryer me procedura të ndershme apo privatizimi po dëmtohet nga korruptimi. Por, a i intereson qytetarit t’i shiten ndërmarrjet që mund t’i jepnin atij produkte më të lira e që njëkohësisht nëse do të menaxhoheshin mirë brenda ekonomisë së tregut, t’i jepnin edhe punë e dinjitet? Këtë Rama me Berishën as që e vënë fare në diskutim.
Nuk ka ndarje midis Ramës e Berishës as për mënyrën sesi shpërndahen të ardhurat e buxhetit. A duhet orientuar paraja e mbledhur me taksa, në drejtim të forcimit të sektorit publik, apo duhet vërtitur në mënyrë që të pikojë në formë “projektesh investimesh” në xhepat e kontraktorëve privatë, këtë s’e përmend njeri. PS nuk e ngre zërin pse paratë e shqiptarëve bëhen pagesa firmash që ndërtojnë për vit rrugë që rishkatërrohen tashmë me ritmikë muajsh, por për procedurat sesi këto pagesa shkojnë për këtë firmë fantazmë e jo për atë tjetrën.
Kështu, uniteti i heshtur sundon edhe kundrejt ofensivës së shëndetësisë private mbi atë universale. Unitet për ekzaltimin e arsimit shfrytëzues privat dhe degradimin e atij publik, për strehimin, për transportin e gjithçka tjetër. Mosmarrëveshjet e vetme, mbeten ato teknike dhe procedurale dhe asnjëherë nuk diskutohet thelbi: I shërben apo jo qytetarit të varfër që ne të ndërmarrim këtë hap, apo që ne ta bëjmë këtë lëshim?
“Ne”-ja përfaqësuese e të varfërve mungon në vetëdijen e lidershipit të të dyja krahëve dhe provë për këtë, është ngadhënjimi i interesave të një “ne”-je tjetër, sa herë që duhet të ndërmerret një veprim, të miratohet një ligj, apo të kalojë një reformë. Është “ne”-ja e të pasurve.
Ky është opozitarizmi midis PS dhe PD sot. I shpjeguar me anë të një parabole që e kishte për zemër një ish-aktivist social, sot burokrat partiak: debati nuk është: a ta dënojmë interesin publik me vdekje apo jo. Debati është: a ta vrasim me injeksion intravenoz, apo ta djegim në karrige elektrike?
Në realitet, ndarja në çështje që përbëjnë themelin e diversitetit politik kudo në botën demokratike dhe që do të ishin shprehja e vërtetë e antagonizmit mes Ramës dhe Berishës, mungon tërësisht. Të dy liderët politikë duket se funksionojnë në një kolaboracionizëm të heshtur për t’i lënë njëri-tjetrit trashëgim ekskluzivitetin mbi brejtjen e ngadaltë të vendit.
Ka studime tepër serioze që shtjellojnë sesi për të kuptuar sesa aspak qesharak është realisht Charlie Chaplin duhet kuptuar më parë Marksi, e para tij Hegeli, e para tij Adam Smithi, e para tij Descartes, e para tij Aristoteli, e para tij Platoni.
Është qesharake se sa boshe dhe pa sens është trajektorja që duhet të ndjekë mendimi i zgjedhësit shqiptar për të zbërthyer kuptimin e liderëve të vet fytyrëngrysur në politikë. Atyre s’u gjen dot asnjë referencë, as filozofi jete, as ideologji politike, as histori mendimi e as fare mendim. Aty ka vetëm moskokëçarje revoltuese dhe aspak seriozitet.
Top Channel