Nju Jork, shkollat kthehen në “Far West”

29/08/2012 00:00

Nju Jorku rrezikon të kthehet në një “Far West”, të paktën në institucionet shkollore, ku është regjistruar një rekord shkeljesh e dhunimesh nga ana e studentëve.

Të dhënat e Departamentit për Arsimin lënë fare pak hapësirë për dyshime: në vitin shkollor 2010-2011 janë regjistruar 68.318 raste të shkeljes së rregullave.

Bëhet fjalë për 50 për qind më shumë të rasteve krahasuar me vitin 2005, kur nisi dhe mbledhja e statistikave, raportojnë mediat amerikane në edicionet online.

Gjithashtu, veç shkeljes së rregullave janë konstatuar edhe 491 raste të agresioneve me armë zjarri, 7.612 raste agresionesh fizike dhe 2.028 raste agresionesh seksuale.

Arsimi në qytetin e Nju Jorkut mundësohet përmes një numri të madh institutesh shkollore publike dhe private. Sistemi shkollor i tij është më i madhi në botë dhe vetë Nju Jorku është shtëpia e librarive dhe qendrave më të mëdha të kërkimit në botë.

Sistemi në fjalë ka mbi 1700 shkolla publike ku mësojnë rreth 1.1 milionë studentë, me një buxhet prej 21 miliardë dollarë në vit.

Gjithashtu, në metropolin gjigand janë të pranishme edhe rreth 900 shkolla private dhe të tipit fetar, disa prej të cilave funksionojnë edhe në mënyrë të pavarur. 

Top Channel