Kinë, zyrtari braktis vendin me 31 mln dollarë

29/08/2012 16:10

Një ish-zyrtar i lartë i një qyteti në verilindje të Kinës u largua nga vendi, duke vjedhur disa miliona dollarë fonde publike, raportuan mediat kineze gjatë së mërkurës.

Wang Guoqiang, i cili ishte sekretar i partisë së qytetit Fengçeng, në krahinën e Liaoningut, është larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me gruan e tij në muajin prill, demoskoi “Gazeta e Popullit”.

Sipas burimeve zyrtare, Wang është duke u hetuar për korrupsion, është shkuarkuar nga detyra e tij dhe rrezikon dënimin me vdekje nëse do të rikthehet në vend.

Disa raportime të pakonfirmuara raportuan se ai ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme rreth 200 milionë juanë ose 31,5 milionë dollarë.

Lajmi përbën një goditje publike për Partinë Komuniste Kineze, sidomos pas disa javë më parë, kryeministri Wen Jiabao, premtoi luftë më të ashpër ndaj korrupsionit, të identifikuar prej tij si kërcënimi më i madh për shoqërinë dhe sistemin njëpartiak në vend.

Një vlerësim i publikuar nga Banka Qendrore Kineze vitin e shkuar, raportoi se që nga viti 1990, rreth 120 miliardë dollarë janë vjedhur nga 16-18 mijë zyrtarë të korruptuar, që janë larguar nga vendi ku nëse do të arrestohen, përballen me mundësinë e dënimit kapital.

Dënimi me vdekje në Kinë jepet në total për 24 krime të ndryshme, duke nisur nga krimet kundër shtetit, si tradhëtia e lartë e spiunazi, tek ato kundër njeriut, si ato të vrasjes, rrëmbimit, e deri për vepra penale të konsideruara më të lehta përgjithësisht, si korrupsioni, dëmtimi i pasurisë publike, vjedhja apo përdhunimi.

Top Channel