Afganistan, shkarkohet kreu i inteligjencës

29/08/2012 16:30

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, shkarkoi nga detyra kreun e Shërbimeve Sekrete, Rahmatullah Nabil.

Zyra e Karzait justifikoi këtë shkarkim me vendimin për të kufizuar në dy vite mandatin në krye të këtij institucioni, por sipas analistëve, lëvizja lidhet me dështimet e vazhdueshme të inteligjencës afgane për të kufizuar depërtimet e militantëve në radhët e ushtrisë e policisë.

Si rrjedhojë e këtyre infiltrimeve, disa dhjetëra aksione vdekjeprurëse ndaj ushtarave dhe përfaqësuesve të tjerë të koalicionit kanë ndodhur në vend nga të konsideruarit “kolegë” të tyre, rekrutët e forcave afgane të sigurisë.

Më parë, presidenti Karzai kishte pranuar publikisht pakënaqësinë e tij me performancën e agjensisë në luftën ndaj militantëve talebanë.

Njëkohësisht, është shpallur edhe zëvendësimi i dy ministrave të lidhur drejtëpërsëdrejti me sigurinë në vend, ministri i Brendshëm, Bismillah Khan dhe ai i Mbrojtjes, Abdul Rahim Ëardak.

Shkarkimet vijnë ndërsa vazhdon të rritet gjithmonë e më shumë shqetësimi mbi aftësinë e forcave të armatosura afgane për të luftuar talebanët, ndikimi i të cilëve në vend është duke u forcuar gjithmonë e më shumë, me afrimin e tërheqjes përfundimtare të të gjithë trupave të koalicionit të NATO-s deri në 2014-n.

Top Channel