Zëvendëspresidenti venezuelian Elias Jaua deklaron se zjarri në rafinerinë më të madhe të naftës në vend është përhapur.
Ai tha se një çisternë e tretë ka marrë flakë pas shpërthimit të së shtunës, ku mbetën të vrarë 48 persona.
Kandidati i opozitës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Henrique Capriles deklaroi se për ngjarjen duhet fajësuar paaftësia e qeverisë, e drejtuar nga presidenti Hugo Chavez, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi lidhur me shpërthimin.
“Kur gjërat nuk bëhen ashtu siç duhet, me përgjegjësi, atëherë duhet të përgatiteni për pasojat”, deklaroi Capriles.
Kandidati dhe kritikë të tjerë të qeverisë së zotit Chavez kanë deklaruar se mungesa e investimeve nga kompania shtetërore PDVSA ka çuar në rënien e prodhimit dhe të standarteve të sigurisë.
Por Chavez deklaroi se nuk ka asnjë provë që shpërthimi të ketë qenë rezultat i mirëmbajtjes së dobët dhe se zjarrfikësit tashmë e kanë zjarrin nën kontroll, pavarësisht përfshirjes së një çisterne të tretë.
Ndërkohë, Stella Lugo, guvernatore e shtetit të Falkonit, ku ndodhet dhe rafineria, deklaroi të hënën se numri i viktimave të shpërthimit ishte rritur nga 41 në 48.
Top Channel