
Një gjykatë në Izrael ka vendosur se shteti hebre nuk kishte faj për vdekjen e aktivistes amerikane Rachel Corrie, që u vra në Rripin e Gazës nga një buldozer i ushtrisë izraelite në vitin 2003.
Familja e zonjushës Corrie kishte ngritur një padi civile për neglizhencë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, por gjyqtari i çështjes tha se vdekja e 23-vjeçares ishte vetëm një “incident i vajtueshëm”.
Ai tha gjithashtu se shteti nuk ishte përgjegjës për asnjë dëm të shkaktuar, pasi ngjarja ka ndodhur në kohë lufte.
Gjyqtari Oded Gershon, kryetar i trupit gjykues në gjykatën e qytetit të Haifas, deklaroi se 23-vjeçarja Corrie kishte dalë në mbrojtje të terroristëve në një zonë luftarake.
Sipas tij, shoferi i buldozerit nuk e kishte parë atë dhe ushtarët kishin bërë gjithçka për t’i mbajtur njerëzit jashtë zonës luftarake.
“Ajo nuk u distancua nga zona, siç do të kishte bërë çdo njeri i arsyeshëm”, tha gjyqtari. Ai vendosi gjithashtu se shteti i Izraelit nuk ka për të paguar për asnjë dëm.
Familjarët e Corrie kishin kërkuar në mënyrë simbolike 1 dollar për dëmet dhe shpenzimet ligjore. Ata e akuzonin Izraelin për vrasje të qëllimshme dhe të paligjshme të vajzës së tyre, si dhe për dështim në kryerjen e një hetimi të besueshëm.
Një hetim i ushtrisë izraelite në vitin 2003 arriti në përfundimin se forcat ushtarake nuk mund të fajësoheshin për vdekjen e 23-vjeçares.
Top Channel