“Isaac” shndërrohet në uragan

28/08/2012 00:00

Stuhia u shndërrua në uragan, ashtu sic ishte parashikuar. “Isaac” me erëra që i kalojnë 120 km në orë pritet të godasë tokën. Fill pasi shtoi forcën, Guvernatori i Luizianës, Bobi Xhindal i kërkoi Agjensisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në këtë shtet.

Bashkiaku i Nju Orlinsit tha se “qyteti është si në luftë”. Ai konfirmoi mbylljen e aeroportit, i cili nuk mund të shërbejë si vendstrehim, po kështu edhe portat e argjinaturës, 8 metra të larta, të etiketuara si “muri i madh i Nju Orlinsit”.

“Nuk do të kemi një Katrinë tjetër, tha ai, megjithëse disa pjesë të qytetit edhe mund të përmbyten. Mos lejoni që kjo stuhi t’iu vërë në gjumë. Do të ishte një gabim i madh”.

Zyrtarët nuk kanë urdhëruar shpërngulje, por u bënë thirrje banorëve të mbrojnë shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë furnizimet e nevojshme. “Isaac” që parashikohet të sjellë reshje të shumta dhe batica, është një uragan i Kategorisë së parë dhe nuk ka forcën e Katrinës, që shkaktoi mbi 1800 viktima dhe dëme kolosale për ekonominë amerikane.

Stuhia tropikale shkaktoi 24 viktima në Haiti dhe Republikën Domenikane si dhe përmbytje e dëme të shumta.

Obama banorëve: Mos luani me fatin

Presidenti amerikan, Barak Obama paralajmëroi banorët e Shteteve bregdetare se nuk ka më kohë për të luajtur me fatin, duke folur për stuhinë tropikale Isaac, tashmë e shndërruar në një uragan të kategorisë së parë.

“Ndërsa përgatitemi për goditjen nga Isaac, dëshiroj të inkurajoj të gjithë banorët e Gjirit të Meksikës, të degjojnë zyrtarët lokalë dhe të ndjekin udhërrëfimet e tyre, edhe kur ju flasin për shpërnguljen. Ne kemi të bëjmë me një stuhi të madhe, pritet të ketë përmbytje dhe dëme në një zonë të madhe. Nuk është koha për të luajtur me fatin, nuk është koha për të kundërshtuar paralajmërimet zyrtare. Ju duhet të merrni gjithcka seriozisht”, tha Obama.

Deklarata e presidentit amerikan ka për qëllim t’u tregojë amerikanëve që jetojnë në zonat e rrezikuara, ta marrin seriozisht këtë stuhi. Të hënën presidenti amerikan deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për Luizianën, që në vitin 2005 u shkatërrua nga uragani Katrina. Deklarata e Obamës i hapi rrugën financimeve federale për këtë shtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB