Policia franceze bastisi ditën e martë një prej kampeve më të mëdha të komunitetit rom në qytetin e Lionit, një ditë pasi një kamp i ngjashëm u shpërnda në kryeqytetin Paris.
Autoritetet franceze raportuan se më shumë se 120 persona janë shpërngulur me udhër të gjykatës.
Sipas aktivistëve pro të drejtave të njeriut, veprimi i Parisit zyrtar ka lënë pa shtëpi dhjetëra fëmijë dhe të porsalindur.
Kryebashkiaku i Lionit pranoi se shkatërrimi i kampit ishte “katrastrofik” për familjet e përfshira, por ai theksoi se higjena publike ishte më e rëndësishme se rrethanat “fatkeqe sociale” të romëve.
Autoritetet, në një përpjekje për të mbrojtur veprimet e tyre përballë ankesave të Brukselit, kanë premtuar lehtësira dhe masa shtesë për të bërë të mundur integrimin e romëve, kryesisht shtetas rumunë, në shoqërinë franceze.
Besohet se rreth 15 mijë romë jetojnë në mënyrë të paligjshme në kampe të ndryshme të improvizuara në të gjithë Francën.
Brenda vendit, spastrimi ka gjetur mbështetje të gjerë, por opozita ka sulmuar presidentin Hollande për “kopimin” e politikave konservatore të ndjekura nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy.
Një fushatë e njëjtë ndaj romëve e vitit 2010 krijoi një incident diplomatik Francës dhe Rumanisë, ndërsa socialistët atëherë në opozitë kritikuan ashpërisht qeverinë e atëhershme.
Top Channel