Franca mbështet kryengritësit sirianë

28/08/2012 00:00

Franca, vendi i parë që njohu rebelet libianë gjatë revoltës së vitit të kaluar që çoi në përmbysjen e Muammar Gaddafit, lëshon sinjale inkurajimi edhe për kryengritesit, në Siri.

Presidenti Francois Hollande ka ftuar opozitën siriane të krijojë një qeveri të përkohshme të cilët premton se vendi i tij do ta njohë.

Parisi, është shprehur shefi i Elizesë, i përkrah njerëzit në terren që duan një Siri të lirë e demokratike dhe që mundohen të mbrojnë civilët.

Pasiguria më e madhe e momentit, pohoi ai nga ana tjetër, mbetet e lidhur me rrezikun e përdorimit të armëve kimike.

”Bashkë me partnerët tanë, mbetemi shumë vigjilente përsa i takon parandalimit të armëve kimike, përdorimi i të cilave do t`i jepte komunitetit ndërkombëtar një arsye legjitime për ndërhyrje ushtarake”, deklaroi Hollande.

Komentet e para të Hollande për Sirinë pasuan deklaratat me të drejtpërdrejta të Barack Obames mbi perspektivën e mësymjes ushtarake, kur paralajmëroi Damaskun, në 20 gusht të mos përdorë armet e tij jokonvencionale e as të mos i zhvendosë brenda territorit të vendit.

Parisi, një prej kritikëve më të fortë të Bashar al-Assadit, do të kërkojë këtë javë një takim të ministrave të jashtëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili të përqendrohet më së pari tek çështjet humanitare.

Franca, siç shpjegoi Hollande, po vazhdon të përpiqet për një rezolutë të re. Shefi i Elizesë nuk humbi rastin të fshikullonte Rusinë dhe Kinën për bllokimin e tre rezolutave të mëparshme me veton e tyre.

”Rusisë dhe Kinës u them se qendrimi i tyre në krizën siriane është kthyer në pengese e po dobëson aftesinë tonë për të përmbushur mandatin që na ka besuar karta e OKB-së”, theksoi Hollande.
Apeli i Hollande, pasqyron për analistet rritjen e pakënaqesisë në Francë e në pjesën të Europes, me mungesen e një mobilizimi ndërkombëtar për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri.

Të hënën, sipas aktivistëve të opozitës, 148 vetë u vranë gjatë ofensivës së forcave qeveritare në Damask dhe zonat përreth tij, 40 nga te cilët vdiqën prej bombardimeve në lagjen verilindore Zamalka.

Top Channel