Avokatët e lideres së burgosur të opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenkos, do të paraqesin së shpejti çështjen e saj përballë Gjykatës Europiane të Strasburgut.
Ish-kryeministrja vazhdon të pretendojë se dënimi i saj me shtatë vjet heqje lirie për abuzim me pushtetin ka qenë politikisht i motivuar dhe se burgosja e saj është e paligjshme.
Aktualisht, ajo është duke u trajtuar për dhembje të forta në shpinë, në një spital shtetëror, nën mbikqyrjen e rojeve që e ruajnë dhe kufizojnë kontaktet e saj me familjarët dhe publikun.
Presidenti Viktor Yanukovych, kundërshtari i saj i një dekade, është njeriu që udhëheq aktualisht vendin me 45 milionë banorë.
Në të shkuarën, ai është shprehur me cinizëm se edhe nëse do të donte të lironte Tymoshenkon, nuk do të mund ta bënte këtë pasi nuk mund të ndërhyjë në pavarësinë e gjykatave.
Sipas raporteve të BE-së, Ukraina është një prej vendeve me statistikat më të këqija përsa i përket ndikimit politik në drejtësi dhe korrupsionit.
Gjykata Europiane e Strasburgut do të mbajë një seancë dëgjimore publike, përpara se të nisë shqyrtimin e hollësishëm të çështjes.
Në bazë të juridiksionit të saj, kjo gjykatë nuk mund të ndryshojë masën e dënimit të vendosur mbi ish-kryeministren, por do të shqyrtojë procedurën e ndjekur në gjyqin e saj.
Nëse do të gjenden parregullsi në mënyrën se si është proceduar dhe ndëshkuar Tymoshenko, Kievit mund t’i imponohen sanksione dhe të kërkohet njëkohësisht lirimi i ish-kryeministres.
Top Channel