Alibia e panevojshme e vitit `96

28/08/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Është një panoramë e zymtë ajo që hodhi në letër dje ish-kryeministri
dhe deputeti socialist, Pandeli Majko. Një ndër ato panorama që të
krijojnë përshtypjen se asgjë nuk shkon mirë në këtë vend.

Qëllimi i shkrimit ishte i afishuar qysh në titull: po përgatitet një stinë e ngjashme me atë të vitit 1996. Për ata që e mbajnë mend atë kohë absurde, ai ka qenë momenti i kulmimit të një situate disavjeçare, ku arroganca shtetërore, deformimi i mekanizmave ekonomike dhe mungesa, apo më mirë shpërfillja totale e interesit publik e kombëtar, prodhuan një klimë e cila u përmbyll me manipulimin artizanal dhe të kamufluar keq të zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit 1996.

Ishte një kohë kur shteti (ai i riu, i dalë nga modeli demokratik), ndodhej në gjendjen e tij natyrore. Një super-president i bënte të gjitha: edhe qeverisjen, edhe reformat, edhe represionin ndaj opozitës, mediave dhe cilitdo që guxonte të shfaqej në vijën e goditjes.

Nuk është e rastit që Pandeli Majko i drejtohet asaj periudhe të zymtë, për të gjetur një pike reference për prognozën e tij pesimiste për vitin që vjen, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Në imagjinatën kolektive, por sidomos në subkoshiencën e të majtës shqiptare, 1996-a është një plagë e thellë, që ka lënë një traumë po kaq të thellë në kujtesë. Është simboli i gjithçkaje të keqe që prodhuan vitet ’90 për këtë vend.

Por a është një alibi vërtet e vlefshme ajo e vitit 1996?! Po edhe jo. Në fakt, më shumë jo, sesa po, nëse i besojmë proverbit të njohur, se “uji nuk rrjedh dy herë nën të njëjtat ura”. E megjithëse vetë proverbi nuk e përcakton se cili duhet të jetë i pari i vendit, që uji të mos shkojë dy herë në të njëjtën rrugë, skepticizmi i thellë në lidhje me përsëritjen edhe një herë të dramës politiko-ekonomike të vitit 1996, është një alibi gjysmake.

Zgjedhjet e vitit 1996, të vetmet në historinë e pluralizmit shqiptar që janë konsideruar zyrtarisht nul nga bashkësia ndërkombëtare, u zhvilluan në një terren unik, sa i përket situatës politike e ekonomike, shkeljes së lirive e të drejtave të njeriut dhe arbitraritetit shtetëror. Fajdet e asaj kohe, autoritarizmi i vrazhdë i partisë në pushtet, burgosja e kreut të opozitës dhe djegia e redaksive të gazetave, sot përjetohen nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, si një skizofreni unikale e shtetit, e cila krijoi një bilanc të frikshëm kostosh për vendin dhe të ardhmen  e tij.

Opozita e sotme mund të gjejë pa u lodhur shumë, paralele me shtetin e ish-presidentit Berisha, edhe sot kur president është Nishani dhe kur nga ajo periudhë ka kaluar një dekadë e gjysmë. Këto paralele, në forma dhe raporte të tjera, mund të kërkohen në politizimin e thellë të çdo qelize të shtetit dhe administratës së tij drejtuese, në situatën e komplikuar financiare e ekonomike të vendit, i rrethuar nga një krizë e stërmadhe që ka përfshirë rajonin dhe kontinentin, në shkeljen e tërthortë apo direkte të shumë të drejtave bazë të njeriut. Mund të hiqet gjithashtu një paralele jo fort e sikletshme, mes sistemit aktual të drejtësisë, thellësisht të korruptuar e arbitrar, me aradhën anonime të gjyqtarëve të plepave të asaj kohe, të cilët gjykonin dhe dënonin symbyllur, sipas urdhrit partiak të kohës.

Të gjitha këto simptoma të kohës së “Berishës së parë”, siç thuhet me humor, janë ricikluar edhe në Shqipërinë e sotme, anëtare të NATO-s dhe nxënëse në rreshtin e parë për në BE. Në Shqipërinë e “Berishës së dytë”. Atij që nuk është më formalisht kryetar shteti, por që sillet si i tillë nga mëngjesi në darkë.

Problemi me vizionin e Majkos dhe pjesën tjetër të opozitës, në lidhje me përsëritjen e vitit 1996 (e këtu vijmë tek alibia gjysmake), ka të bëjë me mosmarrjen parasysh të rrugës së gjatë që Shqipëria, më saktë shoqëria shqiptare, ka bërë drejt progresit dhe normalitetit në 15 vjet. Ky është një proces që më së pari ka të bëjë me trendin e natyrshëm të zhvillimit, po aq sa edhe me evolucionin e mentaliteteve dhe mësimet e pashmangshme që nxirren nga e shkuara e largët ose e afërt.

Është e qartë se ky vend ka humbur shumë kohë. Është po aq e qartë që ai vazhdon me shumë gjasë të humbasë sërish kohë të çmuar. Por është gjithaq e sigurt se në çdo ekuacion të mundshëm, vendi i sotëm i shqiptarëve është më i mirë se ai i djeshmi. E për këtë edhe vetë Majko ka kontributin e tij jo të vogël, në një moment të caktuar historik. Imazhet që kemi nga vitet 96-97 nuk lidhen vetëm me radhët e gjata të njerëzve të veshur keq në sportelet e fajdeve, apo me parakalimin e benzave të vjetër, prej ku qëllohej me armë sa për kapardisje, në mes të pazarit në Vlorë a Tiranë. Ajo kohë i përket një Shqipërie që luftonte me reflekset e së shkuarës, pa pasur asnjë projekt të qartë për të ardhmen.

Ajo periudhë nuk është e krahasueshme me të sotmen. Sado e deformuar që është e sotmja jonë. Sot ky vend përballet me të tjera sfida, të mëdha e komplekse, por do të ishte reduktuese që e sotmja të krahasohej me dekadën e fundit të shekullit të shkuar.

Qeveria aktuale e shqiptarëve, e cila shet detin, korrupton dhe vetëkorruptohet si askush para saj, mbush administratën me militantë duke shpërfillur trashë ligjet dhe vjedh votat në zgjedhje, ka gjithsesi sot përballë vetes, një korpus qytetarësh, mediash dhe opozite politike, e cila e ka kaluar prej kohësh fazën e saj foshnjore. Me gjithë plogështinë dhe apatinë e një pjese të mirë të opinionit të sotëm publik, ka pafundësisht më tepër njerëz në Shqipërinë e vitit 2012, që reflektojnë në mënyrë racionale, sesa në demokracinë karikaturale të viteve ’90, ku pas fasadës së pluralizmit formal, shteti vepronte në bazë të inercisë së vjetër totalitare, ndërkohë që shqiptarët jetonin me përqindje fajdesh. Ky shtet i sotëm ka gjithashtu përballë një brez shqiptarësh që janë shkolluar brenda dhe jashtë vendit, ku e ku më mirë dhe më cilësisht sesa moshatarët e tyre të asaj kohe. Përtej çdo toni deklamativ e patetik, ky është një aset s’mund të injorohet kurrsesi. Në mes të kotësisë e bjerrjes që ka krijuar moskokëçarja e qeverisjes së sotme për ligjin dhe rregullat, ka një sfond të ngrysur shqiptarësh, që mezi presin ta dënojnë me votë këtë shumicë të lodhur si sot një vit. E fundit, por jo e parëndësishme, prej vitesh Shqipëria e ka partinë e saj më të madhe (në funksion të përkrahjes popullore), jo në pushtet, por në opozitë. E ky është një tjetër handikap i çdo tendence për ngritjen e duarve lart, duke krahasuar mekanikisht dhe fatalisht vitin 2012 me vitin 1996. Ky pesimizëm është i panevojshëm e joproduktiv për ambiciet që opozita ka për vitin e ardhshëm dhe me shumë gjasë punon indirekt në favor të konceptit se Berisha i ka fituar tashmë zgjedhjet e vitit 2013.

Është e qartë se Majko e sheh paralelen kryesore me vitin ’96, te fakti se në pushtet është i njëjti person, i cili përpiqet të qeverisë me të njëjtin stil politik. Por në këtë pikë, më e besueshme se skepticizmi i tij, duket se është replika që deputeti tjetër socialist, Braçe, i bëri po dje shkrimit të ish-kryeministrit. Në thelb, replika e Erion Braçes (e jo vetëm i tij), vinte në dukje se një opozite kaq të madhe, nuk i lejohet që të hapë krahun dhe të tolerojë një tjetër eksperiencë traumatike si ajo e viteve të mbrapshta ’96-’97. Me fjalë të tjera, të njëjtin koncept e ka nënvizuar më se një herë edhe Spartak Ngjela, i cili është shprehur me të drejtë se “kur një bankë vidhet për herë të parë, fajin e kanë hajdutët. Nëse vidhet sërish, faji është i vetë bankës”. Ky figuracion i shkon për bukuri nonsensit të krahasimit të kohës që jetojmë, me amullinë biblike të fajdeve dhe kaosit të armëve që pasoi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA