Siri, rrëzohet helikopteri i ushtrisë

27/08/2012 23:20

Kryengritësit sirianë qëlluan një helikopter në Damask. Ushtria e Lirë Siriane e vuri në shënjestër ndërsa ai po bombardonte lagjen veriore Xhobar ku është intensifikuar beteja mes kryengritësve dhe trupave pro-qeveritare.

Televizioni shtetëror konfirmoi rrëzimin e helikopterit pranë xhamisë Al Gufran, megjithëse nuk shpjegoi se cili ishte shkaku.

Dëshmitarët i thanë agjensisë së lajmeve Reuters se helikopteri shpërtheu në flakë pasi u godit nga plumbat gjatë një shkëmbimi zjarri me kryengritësit në terren dhe ra pranë lagjes Kabun. Aktivistët postuan video në internet ku duket rrëzimi i helikopterit në flakë si dhe dëgjohen zërat që thonë: “Allahu Akber” (Zoti është i Madherishëm).

Një zëdhënës i batalionit Bader të Ushtrisë së Lirisë Siriane i tha AFP-së se trupi i pilotit është gjetur duke e cilësuar rrëzimin e helikopterit një hakmarrje për masakrën e Darajas. Sipas aktivistëve, të dielën trupat pro-qeveritare masakruan mbi 300 persona gjatë sulmit në qytetin jug-perëndimor të Darajas. Media shtetërore fajëson opozitën për vrasjet dhe foli për spastrimin e Darajas nga terroristët. Kreu i Këshillit të Pavarur të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha për BBC-në se vrasjet përbëjnë krime lufte.

Ndërkohë presidenti sirian, Bashar Al-Asad ripërsëriti atë çfarë ka deklaruar që prej nisjes së konfliktit, se pas kryengritjes në Siri është dora e komplotistëve të huaj. I cituar nga agjensia e lajmeve Sana, ai tha se çfarë po ndodh nuk është një komplot kundër Sirisë, por kundër të gjithë rajonit, ku Siria është një gur themeli. Askush nuk do të fitojë – tha ai – cilido qoftë çmimi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA