Një shqiptar në lojrat paralimpike

27/08/2012 00:00

Më 29 gusht startojnë në Londër lojrat paraolimpike, lojrat e sportistëve me aftësi të kufizuar, një traditë kjo prej vitesh për zhvillimin e këtyre lojrave menjëherë pas atyre olimpike. Për herë të parë Shqipëria, do të ketë një pjesëmarrës në këto lojra, dhe ai është Haki Doku, nga Kruja por që jeton prej mëse 15 vitesh në Itali. Mesditën e sotme, atij iu dorëzua edhe Flamuri i Kombit, nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani.

Ai ka siguruar një ftesë në këto lojra pas përpjekjes së madhe që ka bërë British Concil, Ministria e Sporteve dhe KOKSH. Hakiu do të marrë pjesë në dy kategori garash, në grup më 5 shtator dhe më 7 shtator në garë kronometrim individual.

“Hakmarrja e nje klandestini”

“Hakmarrja e një klandestini”, ky është titulli i një shkrimi në një revistë italiane rreth emigrantit shqiptar Haki Doku. Ai e filloi jetën e tij në mërgim, në një punë në të zezë në ndërtim, për të siguruar paratë e jetesës, por jo gjithcka i shkoi sipas planeve.

“Rashë nga kati i tretë gjatë punës në ndërtim. Të them të drejtën, para aksidentit unë nuk jam marrë ndonjëherë me sport. Pas aksidentit më lindi ideja që të merresha me sport. Njeriu mund të bëjë gjithcka, është vetëm vendosmëria jonë sepse asgjë nuk na mungon”, thotë Hakiu.

Ishte në moshën 33-vjecare kur e filloi këtë sport dhe tani pas 11 vitesh, ai kujton ende me emocion se si ka fituar dhe se si iu bën duart gjak, duke marrë pjesë në një garë, pa marrë parasysh asgjë, edhe pse nuk kishte as kushtet minimale, karrocën për të garuar.

Gjithsesi, guximi duket se nuk i mungon Hakiut, e gjithë jeta e tij, sforcimet e bëra deri më tani, e tregojnë qartë. Pas realizimit të ëndrrës së tij më të madhe për të patur një familje normale dhe fëmijë, tashmë Hakiu ka një objektiv të madh sportive, atë të fitimit të një medaljeje paralimpike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA