Andrea Stefani – Nëse drejtësia nuk do ta ndëshkojë krimin, do të jetë vetë krimi që do
të ulet në karrigen e “drejtësisë” për të larë duart e përgjakura, duke
ndëshkuar të pafajshmit.
Vetëm kështu mund të shpjegohet paturpësia e Kryeministrit Sali Berisha kur deklaron se 21 janari duhet të hetohet ngaqë shpirtrat e të vrarëve kërkojnë drejtësi. Për shumicën e shqiptarëve, që nuk i lidh asgjë me këtë regjim, është e qartë se kjo që po ndodh është kulmi i mashtrimit. Është njësoj si vrasësi të thërrasë kapeni vrasësin! Sepse më 21 janar, 4 demonstrues paqësorë u vranë para zyrës së Berishës, nga gardistë të Berishës që komandoheshin nga besnikë të Berishës. Asnjë propagandë, asnjë mashtrim, asnjë totalitarizëm nuk ka forcë të zhbëjë këtë të vërtetë. Aq më pak ta hedhë përgjegjësinë për krimin në krahun e opozitës, sikundër po orvatet, në mënyrë qartazi naziskine, të bëjë Kryeministri.
***
Berisha ka një kundërshtar të pathyeshëm në rrekjen e tij për të deformuar çka ndodhi më 21 janar. Ky kundërshtar është e vërteta. E vërteta si fakt por, akoma më shumë, si logjikë. Berisha mund të arrijë t’i fshehë faktet, gjurmët e vrasjes që rëndojnë mbi të, mund të prodhojë edhe “fakte” të tjera me thika helmuese apo çadra pistoletë për të kriminalizuar opozitën, por prapë nuk do të arrijë gjë. Sepse e pamposhtur dhe e pa manipulueshme qëndron e vërteta logjike. Kjo e vërtetë i thotë Berishës: Nëse opozita e sotme është përgjegjëse për vrasjen e demonstruesve më 21 janar vetëm për faktin se ajo i solli demonstruesit para zyrës tënde, atëherë a nuk i bie që edhe opozita e 2 prillit 1991 e drejtuar nga Sali Berisha, të jetë përgjegjëse për vrasjen e 4 protestuesve? Regjimi komunist i asaj kohe, duke ndjekur “logjikën” e sotme të Berishës, mund të shfajësohej duke thënë: Opozita është fajtore, Sali Berisha është fajtor për vrasjet, sepse ai i solli njerëzit para godinës së komitetit të partisë për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve.
***
Ja edhe një tjetër argument logjik që hedh poshtë pretendimin se fajtor për vrasjen e demonstruesve më 21 janar është lidershipi i opozitës vetëm dhe vetëm sepse i solli njerëzit para Kryeministrisë. E ka ofruar i pari ish-presidenti francez Sarkozi. I pyetur për vrasjet e 21 janarit në Tiranë, Sarkozi tha: “Në çdo demokraci mund të ketë manifestime, ndonjëherë të dhunshme, për fat të keq. Por në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë mobilizimin e ushtrisë që të qëllojë me plumba të vërtetë kundër protestuesve”. Për fat të keq, perëndimorët e kanë toleruar deri më sot Sali Berishën që mobilizoi Gardën e Republikës për të qëlluar me plumba të vërtetë demonstruesit më 21 janar. Dhe për shkak edhe të këtij tolerimi antihuman, Kryeministri përgjegjës për masakrën ngrihet dhe kërkon ta hedhë fajin e krimit mbi opozitën. Por deklarata e Sarkozi është thuajse një aksiomë e demokracisë që dredhitë e Berishës nuk e kapërcejnë dot. Në demokraci nuk përdoren fishekë luftarakë kundër protestuesve, qoftë edhe të dhunshëm. Dhe nëse nuk do të ishin përdorur fishekë luftarakë, demonstruesit nuk do të ishin vrarë, pavarësisht faktit se kush i solli para Kryeministrisë. Faji për këtë masakër nuk mund të kërkohet tek ata që organizuan demonstratën, këtë formë të ligjshme të protestës në demokraci, por tek ata që urdhëruan të qëllohen me armë protestuesit, gjë kjo e pafalshme dhe krim për një shtet demokratik. Në këtë rast, shteti, institucionet e tij, prokuroria, gjykatat, duhet të kishin ndëshkuar pushtetin që kreu krimin. Por pushteti ka dalë më i fortë se shteti, krimi ka dalë më i fortë se e drejta, ka fshehur faktet, ka shantazhuar institucionet e shtetit. Duke dhunuar Kushtetutën, Kryeministri ka penguar organin e hetimit të bëjë punën e vet (që është një puç i vërtetë institucional), duke bllokuar ndalimin e gardistëve që shtinë me armë dhe që sot na pohojnë se paskan qëlluar pa urdhër! Një dorë e padukshme (por merret me mend se dora a kujt) fshiu regjistrimet e kamerave në harddiskun e kompjuterit të Kryeministrisë. Vetëm ky është një skandal i mjaftë për largimin e Kryeministrit që ngjiret për “transparencën”, por në fakt gjen strehë vetëm tek errësira. Dhe pas rrënimit sistematik të provave të masakrës, pushteti kriminal ngrihet dhe kërkon të fabrikojë një skenar puçi duke kërkuar të vrasë përsëri, dy zogj me një plumb. Të lajë duart para Perëndimit për krimin e pafalshëm alla Gadaf dhe njëherazi, të lajë duart edhe me opozitën që i kërcënon pushtetit. Por e ka kot. Sot është e qartë se qeveria Berisha nuk është vetëm ajo e votave të vjedhura, jo vetëm e duarve të pista të korrupsionit, por edhe ajo e duarve të përgjakura. Çdo shqiptar i ndershëm, pavarësisht bindjeve politike, duhet të kontribuojë me protestën dhe votën e tij, për ta larguar sa më parë këtë qeveri të rrezikshme për lirinë, demokracinë, pronën dhe jetën e çdo shqiptari.
***
Sali Berisha është prej 23 vjetësh në krye të politikës shqiptare jo për shkak të ndonjë aftësie të rrallë, por për shkakun e thjeshtë se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Ai ka qenë në krye të thuajse të gjithë tragjedive, masakrave dhe skandaleve, puçeve të tranzicionit, por nuk është ndëshkuar as edhe një herë të vetme. Kjo i ka dhënë mundësinë që për krimet e qeverisjeve të tij të akuzojë të tjerët, kundërshtarët e vet politikë. Toleroi piramidat financiare për vite me radhë, përfitoi financiarisht nga ato, kundërshtoi mbylljen e tyre dhe kur ndodhi kolapsi tha: I organizoi opozita! Kur në vitin ’97 kish humbur çdo legjitimitet qeverisës, në vend që të largohej paqësisht, organizoi rezistencën, duke armatosur paramilitarë dhe anëtarë të PD-së kundër shumicës së shqiptarëve që kërkonin largimin e tij dhe pastaj vetëmbrojtjen e tyre të armatosur ndaj një qeverie që po përdorte deri avionë kundër tyre, e shiti si kryengritje të armatosur. Organizoi një puç tipik hitlerian në vitin ’98. Militantë të tij sulmuan me kallashë, bazuka e tanke Kryeministrinë dhe kur dështoi përsëri fajin ia ngjeshi qeverisë socialiste, saktësisht Fatos Nanos që na paskëshin vrarë Azem Hajdarin. Më vonë ishte po ky gënjeshtar që kur i ngrohu punët me Nanon, deklaroi se Hajdarin nuk e kish vrarë Nano. Pohoi gënjeshtrën e vet. Një gënjeshtër jo dosido, por që ishte përdorur si pretekst për një puç të armatosur.
***
Sali Berisha nuk e do integrimin e Shqipërisë me Europën, me shtetin ligjor. Një autokrat i korruptuar nuk mund të ketë aspirata të tilla, realizmi i të cilave shpie në fundin e ëndrrës së tij për sundim e pasurim pa fund. Ai ka vetëm një problem: Si të mashtrojë shqiptarët që integrimin me Europën nuk po e pengon ai, si t’ua hedhë fajin të tjerëve dhe në radhë të parë opozitës. Kjo ka qenë dhe do të mbetet dredhia e Sali Berishës. Akuzo të tjerët, kundërshtarët për të keqen apo krimin që në fakt e ke kryer apo po e kryen vetë. Tashmë po bën kujdes që këtij mashtrimi t’i japë ngjyra institucionale. Nëse vjedh vota, duhet që të jenë institucionet e “pavarura”, KQZ-ja, që lajnë duart e vjedhësve. Ministrat e korruptuar dalin të palarë me vendime gjykatash “të pavarura”. Por kush ka fuqi të mbrojë të inkriminuarit ka fuqi edhe të ndëshkojë të pafajshmit. Këtë po përpiqet të bëjë sot Sali Berisha. Të ndëshkojë opozitën për krimet e pushtetit duke përdorur si mashë institucionet e Presidencës, SHISH, KLD, KQZ apo nesër edhe të prokurorisë. Por ky nuk do të ishte triumf i drejtësisë, por i enverizmit. I një regjimi ku koka e tij ka në dorë të vendosë se kush është i fajshëm dhe kush i pafajshëm, kush është mik dhe kush armik i Atdheut. Enveri nuk kishte pushtet më shumë se kaq. Dhe në fund fare një tjetër logjike e thjeshtë: Të katër të rinjtë që ranë më 2 prill ’91 para godinës së Komitetit të PPSH-së në Shkodër nuk u flijuan që, 20 vite më pas, 4 burra të tjerë të vriteshin nga qeveria “demokratike” vetëm sepse po ushtronin të drejtën e tyre për të protestuar, të drejtë që ka në themelet e saj edhe gjakun e martirëve të 2 prillit. Arben Broci nuk e dha jetën që qeveria “demokratike” të vriste 20 vjet më vonë Ziver Veizin; Bujar Bishanaku nuk u bë martir që “demokratët” të kishin të drejtë të vrisnin Hekuran Dedën; Besnik Ceka nuk derdhi gjak kundër komunizmit që demokratët 20 vjet më vonë të derdhnin gjakun e Faik Myrtajt në emër të “demokracisë” dhe gjaku i Nazmi Kryeziut nuk mund të shërbejë për të maskuar faktin e tmerrshëm se 21 janari ishte po ashtu një masakër e një pushteti sikundër edhe ajo e 2 prillit. Masakrat e 2 prillit dhe 21 janarit janë një emërues të përbashkët për diktaturën e djeshme komuniste dhe “demokracinë” berishiste. Dhe mos është rastësi që në të dyja masakrat është prezent Sali Berisha? Është prezent Kryeministri autokrat që prej më shumë se dy dekadash po gërmon varrin për drejtësinë duke u çjerrë: Drejtësi!
Top Channel