
Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, emëroi ditën e hënë katër zëvendëspresidentët e vendit, midis të cilëve spikat emri i një intelektuali të krishterë, një pedagoge femër dhe dy islamistë të njohur.
Samir Murqus, një shkrimtar i njohur i krishterë, u emërua ndihmës i presidentit për tranzicionin në demokraci.
Pakinam al-Sharkawi, e cila jep mësime të shkencave politike në Universitetin e Kajros, do të jetë e ngarkuar për çështjet politike.
Ajo është femra e parë që ngrihet në një post të rëndësishëm në vend, pasi asnjë ministre femër nuk u emërua në kabinetin e Mursit, fakt që ngjalli kritika të ashpra ndërkombëtare.
Zëvendëspresident dhe ndihmës për çështjet gjyqësore u emërua një figurë e mirënjohur në vend, gjyqtari Mahmoud Mekki, i cili luftoi kundër diktatorit Hosni Mubarak për pavarësi të sistemit gjyqësor.
Megjithatë, emërimi i një të krishteri mes bashkëpunëtorëve të ngushtë të Mursit nuk është i mjaftueshëm për të zbutur irritimin e të krishterëve, të cilët përbëjnë rreth 10% të popullsisë 82 milionëshe të vendit më të madh të Afrikës Veriore.
Ata ndihen të keqpërfaqësuer si rrjedhojë e prezencës së vetëm një të krishteri, midis 17 ministrave.
Presidenti Mohammed Mursi është një figurë qëndrore e Vëllazërisë Muslimane, partisë së moderuar islamike që ndan pushtetin me dy parti të tjera më ekstremiste muslimane.
Top Channel