
Ish-kapiteni i Juventusit, Alex Del Piero, duket se do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike në radhët e skuadrës ku luan një tjetër ikonë e dekadës së fundit të futbollit italian, Gennaro Gattuso.
37-vjeçari është kontaktuar prej zviceranëve të Sionit dhe duket se të dyja palët kanë gjetur një gatishmëri paraprake për të realizuar këtë transfertë.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, drejtori i përgjithshëm i zviceranëve udhëtoi gjatë ditës në Torino, ku u takua me kapitanin legjendar të Juventusit, të cilit i ofruan që të vazhdojë karrierën përtej kufirit.
Mundësia e Sionit duket se është e preferuar për vetë Alex, që pasi Juventusi vendosi të mos i rinovojë kontratën, deklaroi se dëshiron ende të luajë futboll.
Zvicra është pranë Italisë dhe kampionati i këtij vendi do ta lejonte të luante ende në nivele të pranueshme, larg kampionateve amatore të vendeve arabe, të cilat i ofrojnë veteranit kontrata shumë më fitimprurëse.
Gjithsesi, për momentin, Sioni përbën vetëm një alternativë më shumë për Del Pieron, i cili ka mbi tryezën e tij disa oferta të tjera, përfshi ajo e River Plate në Argjentinë, Los Anxhelos Galaksi në SHBA apo opsione shumëmilonëshe për të luajtur në Kinë apo në Lindje të Mesme.
Top Channel