Zjarret, operacione në tokë dhe ajër

26/08/2012 00:00

Ministria e Brendshme ka bërë mbrëmjen e së dielës një raportim të detajuar mbi situatën e zjarreve që kanë rënë në zona të ndryshme të vendit.

Sipas njoftimit të ministrisë, në të gjithë territorin e vendit janë aktive 28 vatra zjarri, për shuarjen e të cilave janë aktivizuar disa struktura shtetërore.

Kështu, një helikopter i vënë në dispozicion nga Turqia ka operuar në Lurë dhe në Priskë, ku prej kohësh vatrat e zjarrit janë të pranishme me përmasa të mëdha.

Ndërkohë, në terrenin tokësor kanë vepruar njësi të forcave të armatosura dhe të shërbimit pyjor, sqaron njoftimi zyrtar.

Në dokumentin në fjalë saktësohet më tej se në Kukës ka 6 vatra zjarri, në Dibër 4, në Lezhë 2, ndërsa në Elbasan, Durrës dhe Korçë nga 1 vatër zjarri.

Digjen pyjet me pisha, por edhe ullinj e pemë frutore

Zjarret që kanë përfshirë Voskopojën shkatërruan plotësisht të paktën 35 hektarë pisha. Vatra vazhdon të jetë aktive në zonën pranë rezervuarit ndërkohë që rrezikon të përhapet e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të intesitetit të lartë të flakëve pavarësisht faktit se punonjësit e shërbimit pyjor të komunës si edhe banorët e zonës vazhdojnë të punojnë për shuarjen e tyre.

Një tjetër zjarr i fuqishëm ka rënë në masivin me pisha e shkurre të Kodrës së Sulmit, në Berat. Zjarri ka nisur fillimisht në disa shkurre ku janë depozituar disa mbeturina dhe më pas, i ndihmuar nga era, është përhapur në kodrën e mbjellë me pisha dhe ullinj.

Flakët për disa minuta kanë përpirë një territor me mijëra rrënjë ullinj e pisha. Me gjithë përpjekjet e zjarrfikësve të Beratit me mjete rrethanore të ndihmuar edhe nga banorë të Kodrës së Sulmit zjarri ende vazhdon.

Mungesa dhe amortizimi i mjeteve ekzistuese e vështirësojnë së tepërmi punën e forcave të zjarrfikëseve në këtë rreth. Situata gjithashtu mbetet problematike në Dibër, Korçë dhe Kukës. Në Pukë pyjet e tre nga fshatrava më të mëdha mbeten të përfshira në flakë.

Në Midë, zjarri ka rënë në një zonë tërësisht të pakalueshme nga automjetet dhe e vetmja mundësi mbetet ajri. Flakë të fuqishme kanë përfshirë gjithashtu fshatrat Bardhoc, vendin e quajtur Qafa e Kombit, Zapod në Kukës si edhe bjeshkët e dy fshatrave në Tropojë.

Problematike vazhdon të mbetet prej një jave zjarri i rënë në pyjet e Lurës. Nga zjarri është përfshirë edhe prefektuara e Elbasanit, në dy fshatra të Gramshit, si edhe një të rrethit Librazhd. Situata në këtë prefekturë paraqitet më e mirë. Prefekturat që nuk janë prekur nga zjarret mbeten ato bregdetare, Durrës dhe Vlorë, si edhe ajo e Fierit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB