Seria A, fiton Juventus e Fiorentina

26/08/2012 00:00

Juventusi fiton ndeshjen e tij të parë për këtë edicion në serinë A. Skuadra torineze mundi në fushën e saj Parmën me lehtësi, me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me barazimin 0-0, por Juventus kishte epërsi në lojën e tij.

Në minutën e 34, bardhezinjtë kishin mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh me anë të një 11 metërshi, por portieri i Parmës, Mirante priti gjuajtjen e Arturo Vidal.

Pas këtij momenti, Juventusi pati edhe raste të tjera për shënim me Vuciniç, por sulmuesi malazez nuk i shfrytëzoi rastet e krijuara.

Pjesën e dytë, kampionët në fuqi e nisën aty ku lanë të parën. Bardhezinjtë e zhvendosën lojën në zonën e Parmës dhe në një nga përpjekjet e tyre gjetën më në fund edhe golin e avantazhit me anë të Lichsteiner.

Pa u shuar mirë entuziazmi, Juventusi dyfishoi rezultatin me Pirlon. Ky i fundit gjuajti fort dhe pavarësisht grushtimit të Mirantes, gjyqtari vlerësoi se pritja e portierit parmez kishte ndodhur përtej vijës fatale.

Pas golit të dytë, Parma kërkoi të rihapte takimin, por futbollistët e saj nuk mundën të shfrytëzonin asnjë prej shanseve që krijuan.

Në ndeshjen tjetër të Serisë A, Fiorentina mundi Udinezen me rezultatin 2-1 në stadiumin “Artemio Franchi”.

Ishte skuadra mike nga “Friuli” që kaloi në avantazh me Maikosuel, por Fiorentina arriti të përmbysë gjithcka në pjesën e dytë me Jovetic. Ky i fundit shënoi golin e barazimit për Fiorentinën në minutën e 68 dhe atë të fitores në kohën shtesë të taklimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA