Në qendër të krahinës së Lunxhërisë është duke u zhvilluar edicioni i dytë i Divanit Lunxhot. Këtë vit, minifestivali i folkut dhe traditës ka mirëpritur mbi 11 grupe dhe orkestrina nga Shqipëria, Greqia dhe Kosova, si dhe një numër këngëtarësh të njohur të muzikës popullore.
Prurjet muzikore dhe risitë në këtë festival janë të shumta, tha regjisori Pirro Qiqi. “Festivali ka të veçantën e vetë sepse do përcjellë tek shikuesi dhe brezi i ri traditën e këngës dhe valles lunxhote. Gjithashtu, ne kërkojmë të promovojmë vlerat turistike të zonës”, deklaroi Qiqi.
Megjithëse muzikologët mendojnë se prurjet muzikore dhe etnografike kanë qenë të rralla, shumë vargje dhe aspekte të harruara polifonike janë rikthyer në këtë festival, duke kontribuar kështu në mbrojtjen dhe ruajtjen e një trashëgimie unikale.
“Duket që në edicionin e dytë Divani Lunxhot po merr formën e një sage të një tradite kulturore. Kjo është forma më e mirë për të promovuar folklorin dhe traditën para publikut, që i ka krijuar vetë”, deklaroi muzikologu Zhani Ciko.
Pjesë e aktiviteteve të festivalit, përveç panairit të artizanatit, ka qenë një ekspozitë fotografike mbi rrugëtimin historik të Bajronit në këtë zonë. Në nder të poetit të madh anglez, sheshi i fshatit Dhoksat ka marrë emrin e tij.
Top Channel