Artan Lame – Sa të poshtër paskan qenë këta grekët, dreqi e mori! Grekët organizojnë
operacionin “Fshesa”; grekët ndërtojnë pa leje varrezat e ushtarëve pa
ushtarë brënda; grekët hapin varret e shqiptarëve dhe i shesin për
grekë; grekët gjobisin peshkarexhat shqiptare në ujrat shqiptare; grekët
përzunë çamët me libër shpie; grekët ngrenë kryqe nëpër majat e maleve
të Shqipërisë; grekët prishin varret e Boboshticës; grekët na dërgojnë
prifta që zënë çunat nga bibilushi, grekët zaptojnë Kishën Ortodokse
Autoqefale Shqiptare (ose të paktën atë që duhej të ishte e tillë);
grekët lënë me orë të tëra emigrantët shqiptarë nëpër radha në kufi;
grekët blejnë bankat shqiptare; grekët nuk lejojnë emigrantët të sjellin
paratë në Shqipëri; grekët hapin shkolla greke në Jug të Shqipërisë
(pse ç’presim ne, që të hapin shkolla holandeze?); grekët zaptojnë detin
e Shqipërisë; grekët kthejnë mbrapsht gjykatësen që dënoi përdhosësin e
Boboshticës; grekët prishin Pallatin e Kulturës në Përmet; grekët
spiunuan Themistoklinë dhe ia dolën ta pushkatojnë; grekët nuk u kthejnë
pronat çamëve; grekët kthejnë mbrapsht Marin Memën dhe i thonë sakën se
shkel në tokën e shenjtë të Helenëve se je person i padëshirueshëm.
Grekët, grekët, grekët.
Sa herë që fqinjët e Jugut na bëjnë ndonjë reng, zbavitem të hap e të shoh blogjet shqiptare ku diskutohen lajmet. Sapo jepet lajmi, të gjithë shqiptarët e vërtetë patriotë, kombëtarë e atdhetarë, ulen t’ia mbledhin 8 me 2 grekut. Vetëm në internet, të kuptohemi. Shkruajnë lloj lloj mesazhesh ku mallkojnë e shajnë grekët e s’u lenë gjë pa thënë, pastaj, meqë e bënë detyrën e sharjes së komshiut, vazhdojnë punën e tyre.
Kur u bë censusi, që edhe ai qe një tjetër shejtan-bidát i qeverisë shqiptare, unë u regjistrova me kombësi vikinge. Tani po vendos të bëhem grek për një çast (Zoti me ndjeftë që po shkoj kundër vullnetit të Tij se, që kur më bëri shqiptar, një plan e ka patur edhe Ai). Vendosa të bëhem grek për ta parë këtë punë me sytë e grekërve. E bëra dhe menjëherë pashë se gjithçka ishte në rregull. Si grek, të gjitha këto ishin punë të mbara të qeverisë time greke. Pashë se si grek, qeveria ime po ndiqte politika të përvijuara e të përcaktuara që këtu e nja 200 vjet të shkuara dhe për këtë hallall e pastë. Është vërtet për t’u respektuar një qeveri që ndjek për dy shekuj rresht një politikë të caktuar, e cila për më tepër ka dhënë edhe frute. Bien shtetet, ndërrohen sistemet e këmbehen qeveritë, por ne grekët (tani jam grek) ia kemi dalë që boshtin politik të sjelljes ndaj fqinjëve barbarë të Veriut ta mbajmë të pandryshuar. Si grek vërtet u entuziazmova me qeverinë time dhe me konsekuencën e veprimeve të saj.
E pra, pasi kemi 200 vjet që ua hedhim allvanosëve, si të mos inatosemi kur vjen këtu një gazetar i tyre si Marin Mema dhe hap defterë të vjetër për troje shqiptare në Greqi e për priftër antigrekë si Papa Kristo Negovani. Ne grekët i vëmë kufirin tek thana Marinit, ndërsa shqiptarët krehin bishtin çdo politikani tonë që u shkon atje.
Cili vënd nuk do e lënvdonte qeverinë e vet nëse kjo, pa luftë dhe pa shkrehur një dyfek, do t’ia dilte t’i merrte fqinjit një pjesë të detit dhe për më tepër kur ndën të thonë se ka naftë! Shihni ç’po ndodh me dy ishuj shkëmborë në Detin e Verdhë të Çinimançinit, ku po hahen me Japoni, me Kinë, me Tajvan e me Kore për ta, sikur të ishin të florinjtë. Kur, për dy shkëmbinj ku ka vetëm zhapikë, hahen shtetet më të mëdha të botës, si të mos ua marrim ne shqiptarëve detin, që ata nuk e dinë as ta mbrojnë? Pak nga pak pashë se po kthehesha në grek fanatik dhe isha gati t’ia falja qeverisë çdo gjë për hir të madhështisë së Eladhës.
Pasi e pashë se sa e vendosur është në veprimet dhe bëmat e saj qeveria greke, kapërceva kufinë, u ktheva siç ka urdhëruar Zoti në shqiptar dhe mbeta gojëhapur. Po ne, ne pse nuk bëjmë siç bëjnë grekët, jo për t’u marrë Selanikun apo Egjeun, por thjesht për të mbrojtur vatanet tona, Jonin dhe Korçën. Arsyeja është e thjeshtë. Ne nuk kemi shtet. Politikat nuk i bëjnë popujt, as strategjitë nuk bëhen nga kombet. Popujt zgjedhin nga gjiri i tyre qeveri e politikanë dhe këtyre pastaj u bie barra të hartojnë politika e strategji për të përmirësuar jetët e kombeve të tyre, për të mbrojtur trojet që ju janë besuar kur janë zgjedhur. Por kur ne nuk jemi të zot t’i bëjmë këto, ç’faj na ka greku që mbron interesat e veta?
Të gjitha ato të ligat që rreshtova më sipër, greku vërtet na i ka bërë, por gjithmonë duke përdorur si mashë shqiptarë gjakprishur. Shqiptarë ishin ata që shitën kockat e gjyshërve në Përmet; shqiptarë ishte edhe prifti që i blinte kockat, edhe prokurori që e nxori të pafajshëm kur e zunë. Shqiptarë janë edhe komandanti i Flotës që bëri hartat e detit që do t’ju japim grekëve, edhe ministri që e komandonte, edhe kryeministri që ka bërë pazarin e madh të detit. Shqiptar ishte ai që derdhi në beton kryqin grek mbi varret shqiptare të Boboshticës; shqiptarë janë edhe Drenovarët që thonë jemi minoritarë. Shqiptarë janë ata, që nga kryeministri e deri tek polici më i fundit, që lejuan të ndërtoheshin varrezat greke në Këlcyrë dhe bënë sikur s’dinin gjë që po ndërtoheshin.
Shqiptarë (gjakprishur) janë të gjithë këta, ashtu sikundër shqiptarë (pa tru në kokë) janë edhe të gjithë ata që mendojnë se e bënë detyrën e tyre vetëm duke sharë grekun në “Facebook” e në email. Që kur është zënë bota, shtetet mbahen me parimin “o ma hip o ta hipa”. Neve na i kanë hipur fqinjët në shpinë dhe presim të na zbresin nga kurrizi duke i sharë. Sa të marrë që jemi. Të bëjmë edhe ne atë që bën jo vetëm greku, por çdo vend e shtet serioz dhe ta shohim punën pastaj.
Inatosemi që grekët e quajnë Marin Memën “person i padëshirueshëm”; pse, ç’presim ne, ta quajnë person të dëshirueshëm, me ç’të vërteta të hidhura u ka publikuar ai? Po ne, pse nuk shpallim persona të padëshirueshëm një tabor me grekë që thonë e bëjnë në Shqipëri gjëra që as do mund t’i mendonin diku tjetër?
E keqja jonë nuk është tek komshinjtë, të keqen ne e kemi tek paaftësia jonë të bëjmë shtet dhe të kemi qeveri që të mbrojë interesat e vendit të vet. Qeveri që kanë mbushur xhepat duke vjedhur vendet e tyre ka njohur e njeh plot bota, por qeveri që mbush xhepat duke shitur vendin e vet si kjo e jona, zor të ketë të dytë. Të vjedhësh vëndin tënd edhe falet, por ta shesësh atë në pazar të botës është shumë më e rëndë dhe për këtë nuk është faji i fqinjëve por i yni.
Kështu që vendosa të bëhem grek, por pastaj, në momentin e fundit, ktheva mëndje. M’u ngjall në vesh psherëtima e gjysh-stërgjyshërve të vdekur si shqiptarë dhe pata frikë nga Zoti. Se një ditë, kur t’i shkoj pranë si të gjithë, do mos më thojë me zë të trashë perëndie: “Artaaaan, ç’t’u desh që u bëre grek, kur unë të solla në botë si shqiptaaaar?!
Top Channel