Tirana nis me fitore sezonin e Superligës

25/08/2012 20:00

Nga tre ndeshjet e ditës së shtunë të Superligës, vetëm Tirana arrin të fitojë, duke mundur në transfertë minimalisht Tomorin 1-0.

Një ndeshje e tensionuar, ku nuk kanë munguar sendet e shumta të hedhura në fushën e lojës nga tifozët vendas.

Goli i avantazhit ka ardhur pas një 11-metërshi të akorduar për Tiranën kur Çota është tërhequr nga një mbrojtës beratas.

Eshtë Duro ai që ekzekuton në mënyrë perfekte këtë penallti dhe shënon golin e vetëm të takimit.

Minutat e tjera nuk sjellin asgjë veç ndërhyrjeve të ashpra, dëmtimeve dhe polemikave. Në fundin e ndeshjes tifozeria beratase, veç ofendimeve në korr ka hedhur shishe në fushën e lojës, një gjest që me shumë mundësi do të sjellë dënimin e fushës së Tomorit që në javën e parë.

Në Laç, Besa ka arritur të marrë një pikë pasi ka barazar 1-1. Vendasit kalojnë në avantazh me një penallti që shndërrohet në gol nga Vucaj, ndërsa në mbyllje të pjesës së parë, pas një rrëmuje në zonë Kaja shënon golin e barazimit, duke i dhënë Besës, skuadër e cila rikthehet në këtë sezon në Superligë, një pikë mjaft të vlefshme në këtë transfertë të vështirë.

Edhe ndeshja tjetër e së shtunës mes Apolonisë dhe Kastriotit ka përfunduar në barazim 1-1.

Ribaj i dha fierakëve avantazhin që në minutën e tretë, ndërsa Sekseri barazon 10 minuta më pas, duke i ndarë nga një pikë të dyja skuadrave në këtë javë të parë të sezonit të ri.

Në ndeshjen hapëse të kampionatit, të zhvilluar ditën e premte, Skëndërbeu arriti një fitore të bujshme në Shkodër, përballë Vllaznisë vendase me shifrat 1-3, falë një trigolëshi të kroatit Pejiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA