Cassano: Galliani më tradhëtoi, Interi ëndrra e jetës

25/08/2012 17:15

Pas stërvitjes së parë me Interin, Antonio Cassano dha një “spektakël” të vërtetë në sallën e konferencave për shtyp, në të cilën lëshoi fjalë të hidhura ndaj Milanit, skuadrës ku luajti në dy sezonet e fundit, ndërsa komentoi me entuziasëm aventurën e tij të re në “klubin ku ka ëndërruar gjithmonë të luajë”.

Milani – Ndonëse shprehu mirënjohje për tifozët dhe shokët e skuadrës që i qëndruan pranë në një moment të vështirë, pas operacionit në zemër, 30-vjeçari sulmoi sjelljen e ish-trajnerit të tij, Massimiliano Allegri. “Ai nuk më konsideroi kurrë si një futbollist të rëndësishëm. Për të isha vetëm sulmuesi i pestë apo i gjashtë shtesë i skuadrës. Nuk më dha kurrë rëndësinë e duhur”.

Përsa i përket drejtorit të përgjithshëm, Adriano Gallianit, ndonëse pa përmendur emra, Cassano lëshoi kritika të hidhura. “Tek Milani nuk gabova unë, as trajneri apo lojtarët, por dikush mbi ne. Dikush që donte të bënte të zgjuarin, që bën premtime dhe nuk i mban. Kur tallen me mua, nuk më pëlqen. Në fillim flitej për rinovim, pastaj më linin një vit në pritje. Falenderoj Berlusconin, që më vendosi në dispozicion një perandori, Barbarën, që u tregua shumë e sjelleshme apo Tassottin, me të cilin gjithçka ishte mirë, por unë dhe Milani u tradhëtuam nga një njeri tjetër”.

Inter – Një tifoz i Interit që në fëmijëri, Cassano e cilësoi kalimin në fanelën zikaltër “si ëndrrën e realizuar të jetës”. i pyetur për faktin që e kishte konsideruar Milanin si “prekjen e një qielli”, sulmuesi ironizoi me vetë veten, me batutën: “Nëse kam thënë ashtu, atëherë Interi është mbi vetë qiellin”. Antonio gjithashtu zbuloi se kontaktet e tij me presidentin Moratti kishin qenë të hershme, por nuk ishte konkretizuar asnjëherë asgjë, për shkak të karakterit të tij problematik të së shkuarës.

Kombëtarja –
Fitues i shumë titujve, Cassano ka edhe një ëndërr për të realizuar. “Ndihem shumë mirë për vendin që kam në kombëtare dhe raporti im me trajnerin Prandelli është shumë i ngushtë, por e di që duhet të punoj shumë, në mënyrë që të ruaj formën dhe të jem vendimtar në Botëroin e ardhshëm të Brazilit”.

Top Channel