Vendimi, dënohet Armstrong, i hiqen titujt

24/08/2012 14:30

Mbyllet në mënyrën më të trishtë të mundshme karriera e artë e çiklistit amerikan, i përcaktuar deri më sot si një ndër më të mëdhenjtë e këtij sporti, Lance Armstrong.

Pas tërheqjes së vetë çiklistit që refuzoi të apelojë akuzat e ngritura nga agjencia amerikane anti-doping, USADA, kjo e fundit ka dalë me vendimin ekstrem; heqjen e shtatë titujve të Turit të Francës dhe pezullim përjetë nga aktivitetet sportive.

Kreu i agjencisë amerikane anti-doping, Travis Tygart pas vendimit doli para mediave ku shprehu keqardhjen e tij.

“Është një ditë e trishtë për të gjithë ne, për të gjithë ata që duan sportin. Ky është një rast që të thyen zemrën, një nga ato raste që tregon se si kultura për të fituar gjithcka dhe me cdo kusht, nëse nuk kontrollohet, tejkalon drejtësinë dhe ndërshmërinë e triumfit”, tha ai.

Më herët, vetë sportisti rekordmen e cilësoi nismën e USADA-s si gjueti shtrigash duke shtuar se ndjehej i lodhur nga gjithë kjo e se kishte vendosur tërheqjen nga mbrojtja e tij.

“Tani mjaft më. Unë e di shumë mirë kush i ka fituar ata shtatë tituj dhe këtë askush dhe asnjë vendim nuk mund të ndryshojë”, tha Armstrong.

Por USADA shprehet e bindur se ka prova që tregojnë se çiklisti ka përdorur substanca të ndaluara, përfshirë steroidet, që nga vitit 1996 e deri në vitin 2005, kur fitonte edhe Turin e Francës.

Top Channel