Superkupa, Barcelona fiton raundin e parë

24/08/2012 00:00

Barcelona ka fituar me rezultatin 3-2 ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës ndaj Realit të Madridit, takim i zhvilluar në Camp Nou, por gjithçka mbetet e hapur “falë” Victor Valdes.

Katalanasit po fitonin 3-1 kur një gabim trashanik i portierit të tyre bëri që diferenca të shkurtohej, ndeshja e kthimit në Bernabeu të jetë e hapur dhe titulli i parë i sezonit në Spanjë të vihet në diskutim.

Cristiano Ronaldo kaloi në avantazh madrilenët në minutën e 55 të takimit me një goditje me kokë, por vetëm një minutë më pas barazoi Pedro për azulgranat, i nisur në pozicion jashtë loje.

Në minutën e 70, Sergio Ramos rrëzon në zonë Iniesta-n dhe arbitri akordon 11-metërsh për vendasit. Nga pika e bardhë Leo Messi nuk gabon duke i dhënë avantazhin Barcelonës.

Në minutën e 77 Xavi shënon edhe golin e tretë pas një pasimi të shkëlqyer nga Iniesta.

Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, portieri katalanas Valdes kërkon të driblojë Di Marian pas një topi të kthyer nga Mascherano, por argjentinasi i Realit kupton gjithçka duke i marrë topin dhe duke e shtyrë atë në portën e zbrazur.

Top Channel