Shqiptari në Lojërat Paraolimpike

24/08/2012 03:30

Për shumë veta emri i Haki Dokut nuk do të thotë shumë, por ai do të hyjë në historinë olimpike si shqiptari i parë që do të konkurojë në garën e çiklizmit në Lojrat Paralimpike që do të zhvillohen në kryeqytetin britanik duke filluar nga 29 gushti.

Haki Doku ka lindur në Krujë në vitin 1969 dhe aktualisht banon në Milano, i licensuar pranë një klubi sportiv italian. Top-Channel ka mësuar se ai është rendiitur i 141 në listën botërore, ku limiti për pjesëmarrjen në garat e Londrës ishte vendi i 140. Por pas lobimit të fuqishëm të Këshillit Britanik, Ambasadës Britanike e KOKSH-it nëpërmjet Ministrisë së Jashtme britanike Forin Ofis, u arrit një formulë për të siguruar një ftesë për pjesëmarrjen e Hakiut në Lojrat e Londrës.

British Council ka bërë të mundur që prej një viti pjesëmarrjen e Hakiut në garat ndërkombëtare si Kampionatin Botëror të Norvegjisë apo gara të zhvilluara në Afrikë në mënyrë që ai të kualifikohej si sportist. Këshilli britanik me partnerë të tjerë si Fondacioni Vodafone kanë bërë të mundur krijimin e Lëvizjes Paralimpike në Shqipëri për ta ngritur këtë kauzë dhe për të dhënë një mesazh sa më pozitiv për këtë grup shoqëror i cili në Shqipëri nuk e sheh veten të integruar dhe jo më të jetë pjesëmarrës në konkurime botërore të këtij niveli si Lojrat e Londrës.

Nuk pritet dhe shpresohet për ndonjë medalje nga konkurrimi në Lojrat Paraolimpike të Londrës, të cilat zhvillohen vetëm disa jave pas Lojrave Olimpike, ku Shqipëria nuk la asnjë gjurmë përveç imazhit të keq, një ëndërr e keqe të cilën duhet ta harrojë sa më parë.

Sipas organizatorëve të këtyre Lojrave, janë bërë një numër ndryshimesh në ambjentet sportive. Ndryshime janë bërë edhe në fshatin olimpik ku do të qëndrojnë 4280 atletët paralimpik, 3500 zyrtarë ekipesh  dhe 22 qenë ndihmës, ndërkohë do të ketë 1800 përdoures karrocash.

Organizatorët e Londrës kanë krijuar edhe dy ambjente të reja për konkurim për disiplinën e tenisit me karroca dhe një circuit për garat në rrugë, ku do të marrin pjesë 7500 spekatorë çdo ditë gjatë katër ditëve të çiklizmit në rrugë, ku do të konkuroje edhe shqiptari Haki Doku.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA