Ethet e ditëve të fundit të merkatos

24/08/2012 00:00

Jemi në ditët e fundit të merkatos verore të futbollistëve dhe Juventusit i kanë mbetur shtatë ditë për të sjellë në Torino sulmuesin që Conte kërkon.

Bardhezinjtë vazhdojnë të këmbëngulin në pistën Llorente dhe administratori i deleguar, Beppe Marotta është duke ofruar të gjitha opsionet e mundshme në dyert e skuadrës së Atletikos së Bilbaos.

Por oferta prej 18 milion euro, plus bonuset e Juventusit përplaset me murin e baskëve që nuk tolerojnë; as më pak e as më shumë, por 36 milion euro për të lënë të lirë lojtarin. Mes kampionëve të Italisë dhe Llorente-s është arritur marrëveshja, që bën fjalë për një kontratë 3-vjeçare dhe një pagë prej 3.5 milion euro për sulmuesin.

Ndërkohë, vec Llorente-s, në këto ditë të fundit janë riaktivizuar pistat e vjetra. I pari mbetet Jovetic i Fiorentinës. Skuadra vjolë e ka listuar si të pashitshëm sulmuesin malazez, por Juventus këmbëngul duke ofruar para dhe Quagliarella-n, sulmuesin që mund të zëvendësojë Jovetic, i vendosur në qendër të taktikave të trajnerit të Fiorentinës.

Tjetër pistë mbetet Edin Dzeko. Sulmuesi boshnjak është një ëndërr e kahershme e Juventusit, por vështirë që City të privohet nga shërbimet e sulmuesit shtatlartë, aq më pak pas dëmtimit të Kun Aguero-s që mund të qendrojë disa muaj larg fushave.

Ndërkohë, Interi pas Gargano-s, siguron një tjetër blerje përforcuese. Bëhet fjalë për uruguajanin, Alvaro Pereira që pritet të nënshkruajë ditën e premte një kontratë 4-vjeçare me zikaltërit. Për të siguruar shërbimet e tij, Interi do të derdhë në arkat e Portos 10 milion euro, plus 2 milion të tjera nësa lojtari luan më shumë se 25 ndeshje dhe nëse Interi siguron kualifikimin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Sa i përket emrave që do të largohen. Të enjten portieri Julio Cesar zbarkoi në Londër për të përcaktuar detajet e kalimit tek skuadra e QPR-së, ndërsa për Maicon interesohet Manchester City dhe Chelsea. Këta të fundit janë favoritë për të siguruar mbrojtësin brazilian.

Për Milanin ky është viti zero, ku gjithcka duhet të rindërtohet nga e para. Sigurisht baza nuk mungon, por gjithsesi duhet një emër i madh, sidomos në sulm për të mbushur boshllëkun e lënë bosh nga Ibrahimovic. Kuqezinjtë janë vënë në lëvizje dhe objektivi mbetet Kaka që tek Reali i Madridit edhe këtë sezon e ka nisur nga stoli. Mediat thonë që kjo është përpjekja e fundit e Gallianit për të risjellë në San Siro asin brazilian.

Top Channel